Kriza e fundit globale e energjisë 2021 – 2022 është kriza më e fundit e një serie mungesash ciklike të energjisë të përjetuara gjatë pesëdhjetë viteve të fundit. Ajo po prek më shumë vende të tilla si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, dhe Kina. Kjo krizë strihet gjithashtu edhe në tregjet e naftës, gazit dhe energjisë elektrike.
Por cilat janë disa nga arsyet e këtyre krizave:
1.Rekuperimi ngadalshëm i furnizimit pas pandemisë
Pandemia e COVID-19 në 2019-2020 shkaktoi një rënie të shpejtë të kërkesës për energji dhe një ulje përkatëse të prodhimit të naftës, pra pavarësisht luftës së çmimit të naftës Rusi-Arabi Saudite 2020, OPEC iu përgjigj ngadalë rimëkëmbjes së kërkesës në një normalitet të ri (post-krizë), duke shkaktuar kështu një mosbalancim kërkesë-ofertë, çka në vetvete prodhoi krizën globale të zinxhirit të furnizimit 2021–2022 që vështirësoi edhe më tej shpërndarjen e naftës së nxjerrë.
Në vitin 2021, si pasojë e pandemisë COVID-19, zinxhirët e furnizimit dhe dërgesat globale u ngadalësuan, duke shkaktuar mungesa në mbarë botën dhe duke ndikuar në modelet e konsumatorëve. Shkaqet e ngadalësimit ekonomik përfshinin punëtorët që sëmureshin me COVID-19 si dhe mandatet dhe kufizimet që ndikojnë në disponueshmërinë e stafit. Në transportin e mallrave, mallrat mbetën në port për shkak të mungesës së personelit.
Efektet e gjata të krizave të zinxhirit të furnizimit po kontribuojnë në çështjet e vazhdueshme të sigurisë ushqimore që lidhen me pandeminë, përfshirë krizat ushqimore të vitit 2022.
2.Mosmarrëveshja për tregtinë e qymyrit
Në dhjetor 2020, pas muajsh kufizimesh, Kina bllokoi plotësisht importet e qymyrit nga Australia, e cila ishte burimi më i madh kinez i qymyrit të importuar.
3.Ndikimi i anomalive klimatike në energjinë e rinovueshme
Në vitin 2021, thatësira më e keqe e pothuajse një shekulli e Brazilit kërcënoi furnizimin e tij me energji elektrike. Kjo në një kohë që Brazili mbështetet në hidrocentralet e veta për mbulimin e dy të tretave të energjisë elektrike të tij. Gjithashtu nga këto thatësira vuajti edhe Amerika e Veriut 2020–2022 , valët e nxehtësisë evropiane 2022 dhe vala e nxehtësisë së Kinës 2022.
Euractiv raportoi nga Komisioneri Evropian për Veprimin me Klimën, Frans Timermans, i cili i tha Parlamentit Evropian në Strasburg se “rreth një e pesta” e rritjes së çmimit të energjisë “mund t’i atribuohet rritjes së çmimit të CO2 në tregun e karbonit të BE”.
Në vitin 2022, vera më e thatë e Evropës në 500 vjet pati pasoja serioze për prodhimin e hidrocentraleve dhe sistemet e ftohjes së termocentraleve. Sipas New York Times, thatësira “reduktoi hidrocentralet në Norvegji, kërcënoi reaktorët bërthamorë në Francë dhe pengoi transportin e qymyrit në Gjermani.”
Thatësirat rekord në Kinë dhe Kaliforni kërcënuan gjithashtu prodhimin e hidrocentraleve.
4.Konflikti ushtarak Rusi-Ukrainë
Aksionet ushtarake ruse në Krime dhe pushtimi i mëvonshëm i Ukrainës kërcënuan gjithashtu furnizimin me energji nga Rusia në Evropë, duke bërë që vendet evropiane të diversifikojnë burimin e tyre të importeve të energjisë. Sanksionet ndërkombëtare gjatë Luftës Ruso-Ukrainase u futën në lojë pas aneksimit rus të Krimesë në 2014, dhe më pas u shtrënguan pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022; më vonë u pezullua edhe certifikimi i gazsjellësit të ri Nord Stream 2 .
Rusia reagoi në fund të korrikut 2022 dhe reduktoi dërgesat e gazit në Gjermani përmes tubacionit strategjik Nord Stream 1. Rusia kishte ndërprerë rrjedhën e gazsjellësit Nord Stream 1 në fillim të shtatorit, duke nxitur një krizë ndërkombëtare të furnizimit me gaz e cila u ndje veçanërisht në tregjet evropiane të gazit.
5.Kriza ushqimore 2022
Rritja e çmimeve të energjisë po rrit kostot bujqësore, duke kontribuar në rritjen e çmimeve të ushqimeve në nivel global. Bujqësia dhe industria ushqimore përdorin energjinë për qëllime të ndryshme. Përdorimi i drejtpërdrejtë i energjisë përfshin energjinë elektrike për ujitje të automatizuar të ujit, konsumin e karburantit për makineritë bujqësore dhe energjinë e nevojshme në faza të ndryshme të përpunimit, paketimit, transportit dhe shpërndarjes së ushqimit. Përdorimi i pesticideve dhe plehrave minerale kërkon në mënyrë të tërthortë energji, nga ku rritja e kostove të këtyre inputeve që janë shumë intensive për t’u prodhuar rrit edhe vet kostot e bujqësisë. Çmimet më të larta të energjisë dhe plehrave përkthehen në mënyrë të pashmangshme në kosto më të larta të prodhimit dhe përfundimisht në çmime më të larta ushqimore.
6.Tranzicioni i energjisë
Përveç presioneve inflacioniste, kriza energjitike e viteve 2021/2022 ka rritur gjithashtu përdorimin e qymyrit në prodhimin e energjisë në mbarë botën. Përdorimi i qymyrit në Evropë është rritur tashmë me 14% në 2021 dhe pritet të rritet me 7% të tjera në 2022. Rritja e çmimeve të gazit natyror e ka bërë qymyrin më konkurrues në shumë tregje dhe disa vende i janë drejtuar qymyrit si një zëvendësues për racionimin e mundshëm të energjisë në dimër 2022/2023.
Me rritjen e kërkesës për qymyr në Azi dhe gjetkë, konsumi global i qymyrit parashikohet të rritet përsëri me 0.7% në vitin 2022 në 8 miliardë ton. Kthimi te qymyri ngadalëson tranzicionin drejt burimeve më të gjelbra dhe më të qëndrueshme të energjisë. Si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Rusia janë eksportuesit kryesorë të gazit natyror dhe qymyrit.
Evropa ka qenë historikisht udhëheqëse në lidhje me politikën globale të klimës, duke u zotuar të reduktojë emetimet në të paktën 55% nën nivelet e vitit 1990 në 8 vitet e ardhshme. Por sanksionet ndaj Rusisë po trysnojnë rritjen drastike të çmimeve të furnizimeve globale të karburanteve fosile. Pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022 rrezikon të minojë dekada të punës së palodhur për të reduktuar emetimet në kontinentin evropian. Pas një periudhe të gjatë parashikimesh optimiste për reduktimin e gjurmës së karbonit në Evropë, qeveritë atje po përfshijnë në tryezën e politikave të tyre çdo gjë, përfshirë edhe rihapjen e termocentraleve me qymyr ose rritjen e importeve të naftës, si dhe shtyrjen e afatit të pezullimit të energjisë bërthamore.
Kush është receta që po përdor bota?
Në përgjithësi, përgjigja ndaj kësaj krize në rritje ka qenë kthimi te qymyri dhe burimet e tjera ndotëse të energjisë, subvencionimi i çmimeve, lehtësimi i taksave të gazit, apo edhe ulja e çmimit të emetimeve të dioksidit të karbonit. Këto zgjidhje afatshkurtra ulin faturat e energjisë elektrike, por shkojnë pikërisht në drejtimin e kundërt të asaj që nevojitet për të parandaluar rritjen me 1.5 gradë të temperaturave, duke rritur mundësinë e një apokalipsi klimatik.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar i është drejtuar Katarit për të kërkuar një marrëveshje afatgjatë të gazit për të siguruar një furnizim të qëndrueshëm me gaz natyror të lëngshëm (LNG) në MB. Ndërsa BE-ja pezulloi një hetim antitrust në KatarEnergy në shkurt 2022
Në tetor 2021, prodhuesi amerikan Venture Global LNG nënshkroi tre marrëveshje afatgjata furnizimi me Sinopec -in shtetëror të Kinës për të furnizuar gaz natyror të lëngshëm. Importet kineze të gazit natyror nga SHBA do të dyfishohen më shumë.
Më 28 tetor 2021, çmimet e gazit natyror në Evropë ranë me të paktën 12% pasi Gazprom njoftoi se do të rriste furnizimet në Evropë pasi vendet ruse të depozitimit të brendshëm u mbushën rreth 8 nëntor. Norvegjia kishte rritur prodhimin e gazit dhe çmimet më të ulëta të qymyrit në Kinë ndihmuan gjithashtu në uljen e çmimeve të gazit natyror.
Këshilltari për sigurinë kombëtare i presidentit amerikan Joe Biden, Jake Sullivan, lëshoi një deklaratë duke i bërë thirrje OPEC + të rrisë prodhimin e naftës për të “kompensuar shkurtimet e mëparshme të prodhimit që OPEC + vendosi gjatë pandemisë deri në vitin 2022’’.
Më 28 shtator 2021, Sullivan u takua në Arabinë Saudite me Princin e Kurorës Saudite Mohammed bin Salman për të diskutuar çmimet e larta të naftës. Çmimi i naftës ishte rreth 80 dollarë amerikanë deri në tetor 2021, më i larti që nga viti 2014. SHBA dërgoi 16 miliardë metra kub LNG në Evropë në janar 2022 dhe 6 miliardë në shkurt.
Komisioneri Evropian për Veprimin për Klimën, Frans Timmermans sugjeroi se “përgjigja më e mirë për këtë problem sot është të zvogëlojmë varësinë tonë nga karburantet fosile“.
Në fund të tetorit 2021, ambasadori rus Andrei Kelin mohoi se Rusia po ndalon furnizimet me gaz për arsye politike.
Sipas ambasadorit, furnizimi i gazit natyror përmes Ukrainës është rritur deri në 15% për nëntor 2021, por ishte e paqartë nëse kjo rritje do të kishte një efekt të menjëhershëm në furnizimin me gaz natyror në Evropë. Për më tepër, një rritje e tillë në shpërndarjen e gazit u pengua nga mungesa e modernizimit të tubacioneve të gazit ukrainas, sipas burimit.
Më 13 korrik 2022, Kremlini shprehu shpresën se një vizitë e Presidentit Biden në Arabinë Saudite për të rritur prodhimin e naftës OPEC nuk do të nxiste atje ndjenjat anti-ruse. Rusia është eksportuesi më i madh i naftës dhe gazit pas Arabisë Saudite dhe gëzon një bashkëpunim shumë të vlerësuar me vendin arab në kuadër të grupit OPEC. Por në nivelet aktuale, prodhuesit kryesorë të Gjirit kanë pak për të kursyer dhe Rusia fajëson sanksionet ndërkombëtare si fajtore për rritjen e çmimeve të energjisë në mbarë botën.
Në takimin e qershorit 2022 të G7, qarkulluan plane për të kufizuar çmimin e mallrave të energjisë ruse, siç sugjerohej fillimisht nga Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen dhe presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, me qëllim uljen e niveleve të çmimeve për vendet perëndimore dhe privimin e Rusisë nga fitimet e saj. Pasi ministrat e financave të G7 shprehën qëllimin e tyre për të zbatuar një kufi çmimi, një zëdhënës i Kremlinit u përgjigj: “Kompanitë që vendosin një kufi çmimi nuk do të jenë ndër marrësit e naftës ruse”.
Analistët e energjisë kanë shprehur gjithashtu skepticizëm se një kufi çmimi do të ishte realist, sepse koalicioni “nuk është mjaft i gjerë”; OPEC+ e quajti planin “absurd”. Me shumë mundësi, SHBA dhe BE do të përpiqen të ndjekin planin duke kufizuar aksesin e Rusisë në shërbimet perëndimore të sigurimit. Por më shumë sesa plan për uljen e çmimeve duket si plan për të ‘’goditur’’ me saksione Rusinë dhe në fund faturën e vuajnë qytetarët anembanë globit, siç ndodh rëndom në raste luftërash.
Pavarësisht përpjekjeve dhe analizave, faktet e krizës janë aty dhe me sa duket kjo është një nga ato krizat e pakta kur zgjidhja pritet e ndërthurur si “nga lart qiellit” (lexo përmirësimet klimaterike), dhe “nga poshtë’’ ku liderët globalë në mos kanë mundësi ta ndalojnë luftën, së paku të reflektojnë dhe të përpiqen të amortizojnë pasojat e saj.
Përgatiti: Enklid Pelari – /tesheshi.com/