Duke parë pezmin që ka mbërthyer bazën e Lëvizjes BESA, mu për shkak të ditëve të vështira që po përjeton kjo forcë politike prej një ndarjeje në dy kampe, ish-n/kryetari i saj i dorëhequr, Zeqirija Ibrahimi, ka bërë një përpjekje edhe intelektuale, për ta mbajtur moralin lart, duke jua injektuar këtë atyre që po e përjetojnë keq përçarjen.
Nën titullin sinjifikativ Happy End, Zeka, siç njihet ndryshe në shoqërinë shqiptare të Maqedonisë, sjellë shembuj nga e shkuara, se si nuk duhet ta marrin me trishtim këtë që po ndodh, aq më pak me fatalitet, duke futur në lojë dhe metafora si grip e rrufë, si për të treguar se çdo organizëm, do kalojë dhe momente sëmundjesh, që gjithsesi kanë dhe efektin e tyre pozitiv.
Shkrimi i plotë:
Happy End
Shkruan: Zeqirija Ibrahimi
Dhe, kur i dëgjon ofkëllimat e aktivistëve dhe votuesve që nuk e durojnë dot këtë përplasje, natyrisht se si njeri të vjen keq dhe e vuan, por kur e shikon organizimin politik në shiritin e historisë, gjithnjë e ke në mendje se më e rëndësishme është të mbrohet ideali, edhe me çmimin e jetës, sesa ta pranohet nënshtrimi vetëm për shkak të përfitimit. Azem Morana dhe shokët e tij të NDSH-së (ose edhe Sulë Hotla me ushtarët e tij) e dinin se suksesi i betejës së tyre ishte në kufi të të pamundurës, por ata nuk u nënshtruan. Dhe, ata janë sot burim i idealit tonë për ta vazhduar misionin, e jo ata komunistë, si Nexhat Agolli etj., që u bënë argat të komunizmit, ndërsa në kthesën e parë e hëngrën kokën e vet.
Gjithë kjo i ka dy shpjegime. I pari, pra, është historik. Pavarësisht si do të jetë epilogu në BESA, do të jemi lumtur nëse dikur diku do të shënohet se në vitet 2014-2018 ka pasur shqiptarë të rinj që kanë prodhuar një subjekt politik ndryshe, që nuk janë nënshtruar ndaj asnjë partie maqedonase, që kanë artikuluar një vizion autentik politik, që kanë afirmuar vlera morali dhe kanë qenë kundër krimit, korrupsionit dhe amoralitetit, që e kanë shqiptuar drejt e pa ekuivoke interesin shqiptar, që nuk janë trembur as kur i ka kërcënuar VMRO-ja e as kur i ka shpifur e luftuar LSDM-ja, që nuk janë nënshtruar as ndaj presioneve as ndaj privilegjeve dhe që në fund këtë kokëfortësi (ashtu i thënçin) ose bindje parimore e kanë paguar me eliminim nga skena politike, pasi që në të kanë futur elementë, që e kanë bërë me sukses këtë vazife, ose i kanë kapur disa drejtues të saj, që e kanë kryer këtë detyrë me sukses.
Shpjegimi i dytë është se kjo përçarje dhe ky tension është normal për partitë politike në sisteme pluraliste. Mund të na vijë keq, por për organizatat e mëdha, siç është relativisht edhe Besa, këto gjëra janë krejt të zakonshme. Prandaj, ideatorët dhe idealistët e Besës do ta tejkalojnë edhe këtë grip, duke mos u nënshtruar as kësaj radhe, ani se disa kanë devijuar dhe nuk kanë mundur ta durojnë presionin. Ne do të vazhdojmë t’i shërbejnë idesë së Besës të bindur se kjo ide do të ngadhënjejë një ditë. Në maratonë ka plot garues që nuk arrijnë ta përfundojnë garën dhe dorëzohen. Prandaj maratonën nuk mund ta përballojë secili. Kondicioni është mbi të gjitha. Ndërsa ne kemi kondicion më shumë seç mund të na bëjnë ata presion. Qyshkur e kishim themeluar Besën, ne ishim bërë gati për këso sfidash, andaj jemi të bindur se edhe kjo rrufë do të kalojë dhe Besa patjetër do të ngadhënjejë. Idealistët e Besës do të vazhdojnë të rezistojnë deri kur pushteti maqedonas të maturohet politikisht dhe relacionin e ndërsjellë ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve të mos e ndërtojë në saje të fuqisë dhe nënshtrimit, por në saje të dialogut, koordinimit dhe ndarjes simetrike të pushtetit. /tesheshi.com/