Shkruan një kolumnë për ish-ministren e Brendshme Gordana Jankullovksa dhe menjehërë i tregojnë derën, e heqin nga puna. Këtë fat e pati gazetarja re maqedonase, Kristina Atovska; që për më tepër kurrë nuk kishte shkruar për politikë, por vetëm për tema sociale.
Siç e shpjegon dhe ajo, nuk ka mundur dot ta përmbajë veten kur ka parë Jankullovksën të kërkojë moral politik prej pasardhësit të vet, ndërkohë që vetë nuk e ka bërë këtë gjë, vetëm kur i është diktuar nga jashtë, nga SHBA.
Në një intervistë për tesheshi.com, ajo flet shkurt për atë që i ka ndodhur. Por mesazhi që përcjell është i madh, dhe i trishtë pa dyshim. Ajo tashmë përfaqson simbolin edhe të krizës së fjalës së lirë në median maqedonase.
Intervistoi: Mensur Krasniqi
Si është ajo ndjenjë kur të përjashtojnë nga puna për shkak të shprehjes së qëndrimit tënd në një kolumnë, edhe atë për ish-ministren e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska?
N’fakt nuk bëhet fjalë për ndonjë ofendim por për shprehje të qëndrimit lidhur me atë se çfarë pyetje gazetareske unë personalisht do i’a kisha parashtruar ish-ministres Jankullovska. Në kolumnën që unë shkrova kam shfrytëzuar fakte, si përshembull protestat; dhe çka do e kisha pyetur unë nëse do më jepej mundësia t’i bëj intervistë, asgjë tjetër. Pra e mora protestën meqë ajo në një intervistë për TVNOVA kritikonte ministrin aktual të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dhe u jepte të drejtë qytetarëve që protestojnë kundër tij që kërkojnë dorëheqje. Atëherë parashtrova pyetjen: “zonja ish-ministre, a thua qytetarët kishin të drejtë që në të shumtën e rasteve të revoltuar nga ju kanë kërkuar dorëheqjen e juaj?”
Ajo asnjëherë nuk pranoi dorëheqjen nga kolltuku i saj, deri në momentin këtë ia kërkoi ambasada amerikane pas rastit të Kumanovës. Atëherë unë në kolumnë e pyeta: “A nuk ju vjen turp që flitni për standarde?”
A mendoni që ish-ministrja Jankullovska ka gisht në vendimin e TvSitel për përjashtimin tënd nga puna?
Ashtu siç thashë në press-konferencën, më është kumtuar nga redassia jonë se ajo kolumnë e imja më paska shkaktuar problem; dhe se përshkak të asaj kolumne nuk do të mundem më të punoj atje. Asgjë tjetër nuk di; dhe derisa është kështu puna nuk do kisha dashur të spekuloj. Megjithatë kjo është joprofesionale.
Çka tjetër i’u shtyri të shkruani kolumnë për ish-ministren?
Vetëm paraqitja e sërishme e saj në publik më inspiroi të shkruaj dhe t’i shpreh qëndrimet e mia ndaj saj.
Ndërkohë që ju sqaronit përjashtimin tuaj në një press-konferencë, keni pranuar që asnjëherë nuk keni trajtuar tema aktuale politike. Çka dëshironi të thuani me të?
Desha të them që jam marrë me tema shoqërore të karakterit lokal dhe me reportazhe.
A ka ndonjë koleg tjetër gazetar në TvSitel që ndryshe mendon dhe ndryshe “duhet” të shkruajë, ose që është përjashtuar njëjtë si ju?
Nuk do kisha dashur të jap përgjigje për asnjë tjetër, mundem të jap përgjigje vetëm në pyetjet që më parashtrohen mua.
A mendoni që kërkesa e kryetares së Unionit të gazetarëve dhe punëtorëve medial, Tamara Çausidis, do të arrij deri në veshët e TvSitel në mënyrë që të të kthejnë në punë, për shkak se redaksia duhet t’i vlerësojë gazetarët si ju që tregojnë integritet?
Nuk mendoj që do prek.
/tesheshi.com/