Nga Podgorica, me në krah Abazoviçin, Rama ka komentuar përjetimet e tij në Prishtinë, refuzuar nga Kurti, duke zgjedhur një batutë në llojin e tij.
“Nuk shkova në Prishtinë për t’u martuar me Albinin, nuk ndjehem i fyer si një dhëndër që nusja nuk i doli në takim. Unë shkova si kryeministër i Shqipërisë. Nuk kam asnjë problem personal me Albinin, por vetëm qëndrime të kundërta lidhur me një situatë të caktuar. Këtë situatë e përjetojmë dhe e trajtojmë në mënyrë të ndryshme. Kjo është në të drejtën e tij”, tha i pari i qeverisje së Tiranës.
Ironia e Ramës ka vijuar më tej, edhe me një paralajmërim mes rreshtash, mbi atë që mund të ndodhë me Kurtin në samitin e Tiranës së Procesit të Berlinit.
Referuar faktit se Vetëvendosje ka hapur filial në Shqipëi, që në vitin 2021, duke garuar atë vit në zgjedhjet parlamentare, Rama i “hap rrugë” të bëhet dhe lider i Shqipërisë nëse do.
“Në takimin e Tiranës, pavarësisht qëndrimit të BE-së, pavarësisht se cilat janë qëndrimet e vendeve të tjera, në takimin e Tiranës për Procesin e Berlinit, kryeministri i Kosovës do të jetë i ftuar dhe dëshiroj që ne të jemi të gjashtë bashkë aty, përtej faktit që mund të mos jetë i ftuar dhe mund të mos duan ta ftojnë në vendet e tjera. Në Tiranë, Albin Kurti është në shtëpinë e tij. Madje, mund të futet edhe në zgjedhje për t’u bërë i zoti i shtëpisë”, tha Rama.
“Nuk mund të jetojmë me Oso Kukën kur kemi hyrë në kohën e inteligjencës artificiale”, ishte një tjetër thënie acide e Ramës për Kurtin, ndërkohë që nuk kurseu as Konjufcën.
Kryekuvendari Kosovar pretendoi të ketë lexuar draftin e Tiranës për Asocacionin, por Rama e kundërshtoi këtë fakt, në mënyrë e tij.
“Unë me Glaukun kemi pasur një bisedë fantastike. Unë flisja, Glauku qeshte. Nuk kemi folur asnjë fjalë për draftin e Asociacionit. Pse i tha Glauku ato jashtë duhet të pyesni Albinin që nuk ishte në takim, jo Glaukun.
Glauku nuk di fare ça është drafti, di çfarë duhet të thotë para kamerave, pasi është konsultuar me Albinin, pavarësisht se me kë ka qenë përpara. Sepse kështu funksionon demokracia në qeverinë e Kosovës dhe unë e respektoj. Është vendi më demokratik në Ballkan, siç thotë Albini”, ishin fjalët e Ramës. /tesheshi.com/