Më 2 tetor 1904, gjenerali Lothar von Trotha shpalli atë që tashmë njihet si famëkeqi “urdhëri i shfarosjes” për spastrimin e tribusë Herero në territorin që në atë kohë ishte pjesa jugperëndimore gjermane e Afrikës. “Brenda kufijve gjermanë çdo Herero, me ose pa armë, me ose pa bagëti, do të qëllohet”, thuhej në vendim. Gjatë pak muajve në vijim, urdhëri thjesht u zbatua. Me gjasa katër të pestat e popullit Herero, përfshi gra dhe fëmijë, u zhdukën në një mënyrë apo një tjetër. Tani pasardhësit e të mbijetuarve numërojnë vetëm 200 mijë persona në një popullsi prej 2.3 milionë të Namibisë.
Tribuja më e vogël Nama, e cila u ngrit kundër gjermanëve, u dëmtua rëndë po ashtu, duke humbur ndoshta një te tretën e njerëzve të vet, në kampe të burgosurish apo në shkretëtirë ku u përndoqën nga gjermanët.
Një numër politikanësh gjermanë që nga ajo kohë kanë pranuar barrën e fajit të vendit të tyre, madje, edhe duke artikuluar fjalën e frikshme “genocid”, sidomos në prag të përkujtimoreve të 100-vjetorit në vitin 2004. Mirëpo, negociatat e fundit midis qeverive të dy vendeve për zgjidhjen e çështjes, artikulimin e një ndjese dhe kompensime materiale po e tensionojnë situatën. Rreth 16 mijë gjermanë etnikë të Namibisë, ende me ndikim në mos dominues ashtu si ishin edhe dikur në biznes dhe në ferma, po bëhen nervozë.
Çështja po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një situatë të komplikuar, pasi ndërsa qeveritë gjermane dhe namibiane janë në negociata, figura të rëndësishme Herero dhe Nama thonë se duhet të përfshihen direkt dhe ndarazi në to, duke nisur një padi në Nju Jork bazuar në statutin “Alien Tort”, që lejon personat e çdo nacionaliteti të padisin në gjykatat amerikane shkeljen e ligjeve ndërkombëtare, të tilla si për genocid apo shpronësim pa kompensim të pasurisë.
Forca kryesore pas çështjes gjyqësore në Nju Jork, Vekuii Rukoro, ish-Prokuror i Përgjithshëm namibian, kërkon që çdo kompensim të shkojë drejtpëdrejt tek popujt Herero dhe Nama, e jo në duart e qeverisë namibiane e cila dominohet nga populli Ovambo, shumë më numerik dhe që nuk u prek aspak nga luftërat e viteve 1904-07 dhe nuk humbi aspak tokë. Mirëpo qeveria thotë se kompensimet duhet të menaxhohen prej saj në emër të të gjithë namibianëve.
Shefi negociator i qeverisë namibiane, Zedekia Ngavirue është kritikuar rëndë nga disa përfaqësues të ekipit të Rukoros, si një tradhtar. “Tribalizmi po luan kokën e tij të shëmtuar”, thotë ministri i Financave, që ka qëlluar të jetë një gjerman etnik.
Qeveria gjermane thotë se nuk mund të paditet në gjykatë për krime të kryera më shumë se një shekull më parë, për shkak se konventa e OKB-së për genocidin u nënshkrua vetëm në vitin 1948.
“Gjepura”, thotë Jürgen Zimmerer, historian nga Hamburgu që mbështet pretendimet për genocid dhe thotë se qeveria gjermane po i komplikon gjërat. “Ata mendojnë vetëm si gjyqtarë dhe jo për çështjet morale dhe politike”.
“Asnjë nga ligjet që ekzistonin në atë kohë, nuk është shkelur”, thotë një zyrtar i lartë gjerman. “Ndoshta, kjo nuk është moralisht e pakënaqshme, por është një pozicion ligjor”, shton ai. Në të vërtetë, zyrtarizmi gjerman ende thurr rrjeta semantike për të shmangur pranimin e hapur të fjalës që fillon me G, me gjasa duke lënë pezull marrëveshjen finale midis dy qeverive.
Mbi të gjitha, Gjermania është e vendosur të shmangë përgjegjësinë ligjore për dëmshpërblime të llojit që pranoi për Holokaustin ndaj hebrenjve në marrëveshjen e vitit 1952, ndërsa e vë theksin se është e gatshme të rrisë nivelin e çdo lloj ndihme për zhvillimin në Namibi, së cilës i jep shumë më tepër para për banorë sesa çdo vendi tjetër në botë.
Ndërkohë, gjermanët etnikë të Namibisë po mbajnë kokën ulur, të vetëdijshëm për akuzat për krime në të kaluarën e largët. “Qeveria gjermane nuk na përfaqëson, ne jemi namibianë”, thotë një biznesmen lokal. Shumë pak nga gjermanisht-folësit e sotëm janë në çdo rast, me prejardhje nga Schutztruppe (fjalë për fjalë “forca e mbrojtjes”), ushtarët kolonialë që masakruan popujt Herero dhe Nama në vitet 1904-07.
Megjithatë, shumë pak duan të përdorin fjalën që nis me G, genocid, le më të pranojnë saktësinë e saj. “Ne u rritëm me bisedat e luftërave koloniale, kryengritjen Herero”, thotë një shkrimtar veteran për “Allgemeine Zeitung”, të përditshmen e Namibisë në gjuhën gjermane.
Gjermanët namibianë shpesh i bëjnë jehonë Hinrich Schneider-Waterberg, një fermeri 85-vjeçar që bëri një karrierë të dytë si historian i fokusuar në hedhjen poshtë të akuzave për genocid (toka që ai zotëron shtrihet aty ku është zhvilluar një betejë e rëndësishme midis gjermanëve dhe popullit Herero).
Ai pretendon se Hererot nisën vrasjet: që civilët gjermanë vuajtën po ashtu masakrat, që urdhëri i shfarosjes u shfuqizua shpejt në Berlin, se numri i vdekjeve nga populli Herero është i ekzagjeruar, dhe se vrasjet e njerëzive të tribusë Nama në kampet e burgimit nuk ishin të qëllimshme, ndaj edhe nuk përbëjnë genocid. Këto pretendime janë hedhur poshtë nga pjesa më e madhe e historianëve në Gjermani si “mohuese”.
Burgert Brand, peshkopi gazmor i kishës luteriste ku përkasin pjesa më e madhe e namibianëve të bardhë gjermanisht-folës, njeh një pjesë faji por tepër të vogël krahasuar me Holokaustin; disa historinë në kampin e Zimmerer gjurmojnë një lidhje direkte mes krimeve më të hershme dhe sjelljeve raciste të vitit 1904. “Eshtë shumë frustruese për ne që duam të ndërtojmë ura bashkëpunimi, që të nisim gjithçka nga e para”, thotë peshkopi.
Shumë gjermanë namibianë janë nervozë për shkak të drojës se argumenti për dëmpshpërblimet shndërrohet në kërkesa për konfiskimin e fermave të tyre, ashtu si bëri Robert Mugabe në Zimbabve.
Werner von Maltzahn, një fermer 69-vjeçar kujton sesi gjyshit të tij, një baron prusian që u vendos në të njëjtin vend të humbur në vitin 1913, iu desh të niste çdo gjë nga e para kur ushtria britanike i shtetëzoi bagëtitë në vitin 1915. “Ndoshta edhe unë duhet të kërkoj kompensione nga anglezët”, qesh ai.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/