Ishte premtuar që Kosova të jetë pjesë e Kartonit të Gjelbër gjatë viti të shkuar por një gjë e tillë nuk ndodhi. Po ashtu u premtua që edhe këtë vit Kosova të jetë pjesë e Kartonit të Gjelbër. Në një intervistë për portalin ‘tesheshi.com’ kryetari i Byrosë Kosovare të Sigurimeve z. Rrahim Pacolli ka thënë shpresoj që këtë vit të fillon të implementohet përmes ndonjë shteti evropian.
Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj
Pacolli, disa herë janë dhënë premtime që Kosova do të bëhet anëtare e Kartonit të Gjelbër. Kur përfundimisht do të rregullohet kjo çështje?
Kjo çështje shpresoj të fillon këtë vit të implementohet, ndoshta përmes ndonjë shteti evropian, për arsye se marrëveshja me Serbinë është bërë dhe është një hap i madh drejtë Kartonit të Gjelbër dhe tani jemi duke negociuar me byronë evropiane për pranim të Kosovës. Mendoj që nuk jemi shumë larg me arrit një marrëveshje për Kartonin e gjelbër.
A është dhënë fondi prej 3 milion eurosh për kompensim të dëmeve dhe a është deponuar në ndonjërën nga bankat evropiane?
Fondi është kërkuar për marrëveshje me Serbinë 1.5 milion, ky fond është bllokuar në një bankë të Kosovës, që është filiale e një banke të Austrisë dhe garancioni është në Austri d.m.th që është kërkuar 1.5 milion dhe kompanitë e kanë një fond prej 4 milionëve, nëse hymë përmes një shteti në Kartonin e Gjelbër implementohet edhe pjesa tjetër.
A kanë ndikuar bisedimet Kosovë-Serbi lehtësimin e anëtarësimit në këtë organizatë?
Marrëveshjet që janë bërë për lëvizjen e lirë, për policat e sigurimeve me Serbinë, për me arrit deri të Kartoni i Gjelbër ka ndikuar shumë, për arsye se byroja evropiane ka bërë një hap përpara për tregun e sigurimeve, si dhe për Byronë e Sigurimeve të Kosovës.
A kanë ndikuar kompanitë e sigurimeve në Kosovë që qytetarët e saj të mos pajisen me këtë karton?
Nuk e di, ndoshta shumë më herët kanë pasur ndikim, por problemi kyç ka qenë marrëveshja me Serbinë. Marrëveshja me Serbinë ka zgjatur shumë për arsye se në 2011 kemi filluar më policën e parë të sigurimeve në kufij për automjetet e Serbisë; edhe ata kanë filluar, edhe për neve gjithmonë ka pas problem me ta. Prej 2011-ës është negociuar deri në vitin që lëmë pas për me u arrit marrëveshja. Ka qenë një marrëveshje shumë e vështirë për arsye se pala serbe ka kërkuar kushte që nuk i kanë takuar dhe ne nuk kemi pranuar kushte që nuk është 100% reciproke me memorandum dhe për këtë ka zgjatur shumë.
Pritet që kosovarët së shpejti të lëvizin në drejtim të Evropës pa viza. Sa do t’i kushtojë një qytetari blerja e një kartoni të përkohshëm në pikat kufitare të Evropës?
Shpresoj që Evropa t’ua mundësoj qytetarëve të Kosovës të lëvizin të lirë sepse është i padrejtë ky izolim, e për Kartonin e Gjelbër, po ashtu shpresoj që deri të bëhet liberalizimi i vizave të bëhet edhe Kartoni i Gjelbër këtë vit dhe të mos ketë nevojë që ata të paguajnë nëpër kufij sigurime shtesë. Nuk e di sa do të mund t’i kushtoj një Karton i Gjelbër.
Byroja Evropiane e Kartonit të Gjelbër ka dashur ta hapë një zyrë në Kosovë për shitjen e këtij kartoni. Për ç’arsye nuk ndodhi një gjë e tillë?
Byroja Evropiane e Sigurimeve nuk ka dashur që të hap një zyrë në Kosovë, por gjatë bisedimeve me Serbinë unë kam kërkuar që me hap një pikë këtu që qytetarët e Kosovës me u pajis me Karton të Gjelbër, me një tarifë të kapshme në Prishtinë. Këtë në një farë mënyre e kanë pranuar deri diku dhe shpresoj që shumë shpejtë ajo pikë të hapet dhe aktualisht jemi në bisedime.
Sa janë të forta kompanitë e sigurimeve për të mundur një organ si BKS-së?
Kompanitë e sigurimeve e kanë themeluar Byronë e Sigurimeve të Kosovës dhe kjo u jep raport kompanive të sigurimeve, për arsye se unë në këtë rast jam kryetar i këshillit të byrosë së sigurimeve dhe jam i emëruar prej kompanive të sigurimeve që d.m.th kompanitë e sigurimeve e menaxhojnë BSK-në.
Kryqi i Kuq i Kosovës ka thënë se kompanitë e sigurimeve ia kanë mbi një milion euro borxh. Cili është komenti i juaj?
Kur e kemi një problem me këdoqoftë, është gjykata ku duhet të drejtohet dhe borxhi nuk dihet pa e dhënë verdiktin gjykata. Kryqi i Kuq apo Gjysmë Hëna, sepse ka shumë shoqata me sa e di humanitare, kompanitë e sigurimeve nuk janë të obliguara për t’i paguar, por deri me tani është bërë në mënyrë vullnetare. Kur është bërë ligji për sigurime është bërë një gabim i paqëllimshëm; unë dua të shprehem se është bërë i paqëllimshëm sepse nëse është bërë i qëllimshëm është vepër që nuk është bërë askund në ndonjë shtet tjetër. Kurse ne po kërkojmë ligje evropiane, sepse as një shtet evropian nuk e ka këtë, në asnjë shtet në botë nuk kam mundur me gjet diku që është i obliguar shoqata apo një Kryq i Kuq apo Gjysmë Hëna. Nga Parlamenti i Kosovës është bërë një gabim dhe për këtë gabim kemi dërguar procedurën në gjykatë dhe duhet me e pritë derisa gjykata të jep verdiktin, d.m.th gjykata e cakton se a kemi të drejtë ne apo Kryqi i Kuq. Nuk besoj që Kryqi i Kuq është tatim i Kosovës që duhet me qenë i obliguar për ta paguar, nuk janë të obliguar kompanitë e sigurime por, ligji është i gabuar dhe për këtë arsye ka përfunduar në gjykatë dhe shpresoj që në të ardhmen të ndërrohet.
Kush do t’ia kompensojë dëmin zotëruesit të policës kufitare të sigurimit, nëse shkaktari nuk ka sigurim?
Byroja e ka një departament ku është fondi i kompensimeve dhe kompania e paguan që do të thotë është barrë e kompanive të sigurimeve të Kosovës.
Deri në çfarë vlere do të kompensohet pala e tretë e dëmtuar në një aksident trafiku, nëse shkaktari zotëron sigurim kufitar valid?
Çdo qytetar i Kosovës apo i huaj që ka sigurim dhe është i pafajshëm, me ligje të Kosovës mundet me arrit deri në 1.5 milion euro kompensim varet prej dëmeve dhe sa anëtar të familjes kanë qenë në veturë.
Çfarë përfiton siguruesi i makinës që s’bën me vite aksidente?
Pyetje me vend, çdo person që nuk ka bërë aksident ju zbritet deri në 10% dhe mundet me e arrit diku deri në 50% më lirë që u bie të paguajnë shumë më pak sigurim. Ndërsa për ata që bëjnë aksidente ju ngritët çmimi që d.m.th për vozitës të këqij ju ngritët çmimi kurse për vozitës të mirë ju zbritet çmimi siç është edhe në Evropë.
Si i konsideron hyrjen në treg të dy kompanive të reja?
Mendoj që Kosova ka hapësirë për 5 deri në 6 kompani me qenë real kështu ashtu sa ka punë. Por, sot në Kosovë janë diku 12 kompani numër i tepruar dhe kompanitë në Kosovë ose punojnë me humbje ose me fitim minimal, për arsye se ka shumë kompani me një vend dhe treg shumë të vogël.
A ka Kosova treg për kaq shumë kompani të sigurimeve kur dihet se ende s’kemi ligj për sigurimin shëndetësor dhe atë jetësor?
Sigurimi jetësor apo shëndetësor që duhet me qenë si qese sociale që është në çdo shtet të zhvilluar. Ajo nuk duhet të lidhet me sigurimet ajo duhet me qenë siç e paguajnë pensionin sot ose tatimet, në kontrata të punës etj. Është katastrofë që në Kosovë nuk ka sigurime për lindjen e fëmijëve për shkollim e që shpresoj që të hyjë në këtë vit ligji shëndetësor. Nuk duhet të lidhet me kompanitë e sigurimeve sepse në kompanitë e sigurimeve, sigurimi është vullnetar. Nëse sigurimi i shteti ka me të mbuluar 80% je i interesuar për 100% paguan shtesë në kompanitë e sigurimeve.
Sa do t’i ndihmojë kompanitë e sigurimeve ligji për sigurimet shëndetësore?
Do t’i ndihmoj shumë për arsye se njerëzit vetëdijesohen më shumë d.m.th janë të siguruar me ligjin që pritet shumë shpejtë të zbatohet. Siç thashë më herët që duhet ta paguajë çdo person dhe ai i mbulon të gjithë edhe ata që nuk janë duke punuar, edhe faktikisht për ata që i kanë kushtet më mirë, janë të punësuar dëshirojnë që ta plotësojnë edhe me 20% për të bërë sigurimin 100%. /tesheshi.com/