Kreu i ALUIZNI-it, Artan Lame, i cili do drejtojë dhe Kadastrën, ka përcjellë sot një lutje gjatë daljeje për mediat, të pazakontë për një zyrtar të shteti por jo për atë vetë, i cili njihet si i shpenguar në komunikim.
Duke lajmëruar reformimin e Kadastrës, me nevojën për të patur më shumë inxhinierë e arkitektë, Lame iu lut shumëkujt, përfshirë dhe bashkëshorten, që mos hynin mik për njerëz pa kualifikim përkatës.
“Iu bëj thirrje të gjithë djemve dhe vajzave të reja që të bëhen pjesë e garës për të punuar në Kadastër. Në total janë 74 vende të lira, ku pjesa më e madhe janë në Tiranë dhe Vlorë. I them pretendentëve në punë që të marrin pjesë në konkurrim dhe të kenë besim tek unë.
Gjithashtu iu bëj thirrje miqve, deputetëve, gruas sime dhe prindërve që të mos më ndërhyjnë për të futur në punë njerëz që nuk kanë lidhje me profesionin. Në kërkojmë inxhinierë, arkitektë dhe gjeodetë”, tha Lame.
Sipas tij numri i inxhinierëve është shumë i ulët në Kadastër, krahasuar me profesionet e tjera, që nuk kanë lidhje me punën që bëjnë.
“Sfidat kryesore të Kadastrës sot janë dy: E para, avancimi i rishikimit hartografik të gjithë problematikave në rang vendi.
E dyta, ngritja e nivelit profesional të punonjësve tanë. Në këtë pikë mjafton të them se sot agjensia ka rreth 400 juristë të të gjitha shkollimeve, që nga ata me shkolla të mbaruara jashtë, e deri te ata me pasqyra e xhamlleqe. Dhe, me gjithe këta juristë, i vetmi rezultat ka qenë hapja e mijëra gjyqeve për çështje pronësie, me pasojat e trishta që i dimë të gjithë.
Po ka edhe më keq se juristët, pasi gjenden pa fund ekonomistë e biologë, historianë, sociologë, psikologë, e ku di unë çfarë tjetër, duke lënë në minorancë profesionet bazë të Kadastrës.
Nuk po i hyj këtu analizës se si është arritur ky deformim 20 vjeçar por, me keqardhje për fatin personal të secilit, deklaroj se reforma për rritjen e profesionalizmit do të vijojë.
Rishikimi hartografik e bën të domosdoshme thithjen e fluksit të inxhinierëve. Dhe pikërisht për këtë, në vendet që lirohen, duam të hapim garën për thithjen e profesionistëve të fushës.
Pra sot unë po lajmëroj hapien e garës për punësimin e 74 specialistëve në strukturën e AKSH me profesione:
-Inxhinier ndërtimi;
-Arkitekturë;
-Urbanistikë;
-Gjeoinformatikë;
-Gjeodezi;
-Topografi.
Saktësoj, jo punonjës me kontratë, por punonjës në strukturë”, theksoi Lame. /tesheshi.com/