Kritikë permanentë ndaj Ramës, sidozot Andi Bushati, duket se gjeti detajin më të fortë për diskretitimin publik të kreut të qeverisë, kur tha se njerëzit më shumë i besojnë një imami se sa qeverisë, referuar shumës së mbledhur nga Elvis Naçi nga donacionet e shumta ngamos – rreth 6 milion euro, e në synimin për të arritur në 10 milion – përballë të cilit pra, Rama, dukej i injoruar nga zemërmadhësia shqiptare. Por jo gjithnjë fakti është dhe argument. Edhe në këtë rast.
Një shoqatë bamirëse nuk është një qeveri dhe një imam nuk është kryeministër. Thënë ndryshe, Bushati, në vlerësimin e perfomancës mes tyre, i trajtoi të dy si nga i njëjti domen. Apo apo, meqë si Rama e si Naçi kanë qenë njëri basketbollist e tjetri futbollist, Bushati vlerësoi koshat e shumtë të Naçit (në rolin e një basketbollisti), e golat e paktë të Ramës (në rolin e një futbollisti).
Janë me dhjetra arsye se pse njerëzit më lehtë ia besojnë donacionet një shoqatë bamirëse, ose në rastin konkret një imami bamirës, se sa një kryeministri, pavarësisht nëse ky fundit është i dashur apo i urryer për njerëzit. Konteksti social i gjykimit dhe vlerësimit të një kryeqeveritari ndryshon kryekëput nga ai ndaj një bamirësi. Mjafton fakti që kryeqeveritari është politikan, një status me ngarkesë të madhe pezhorative, aq më tepër në kushte shqiptare. Ndërsa një bamirës, i cili vetëprezantohet në publik nëpërmjet qindra episodeve të përlotshme ku dikton, me aftësinë e tij solidarizuese, ndryshimin e një fati njerëzor nga dhimbja në lumturi, domosdo që do ketë kuota më të larta afiniteti, e për rrjedhojë do i besohen dhe kontribute financiare.
E fakti i Bushatit, do vlente si argument vetëm në rast se, pas donacioneve, Naçi mund ta sfidojë Ramën dhe në vota. Mjaft të ndërtosh hipotetikisht një realitet ku imami bamirës tenton të konkurrojë dhe politikisht kreun e qeverisë. Sigurisht që treguesi i fondeve në këtë pikë nuk vlen aspak. Ai që i ka besuar Naçit para, do të duhet t’i besojë dhe fatin e tij në vendimmarrje politike. E kjo nuk është aq e lehtë. Sepse, sa historia e sa realitetet tona sot, afrojnë plot shembuj të dështimit politik, apo të pazotësisë politike, të atyre që mund të kenë shkëlqyer në fusha të tjera.
Në të një tjetër sens, ajo që po e karakterizon Bushatin e shumë zëra të tjerë kritikë ndaj Ramës, është thjeshtëzimi i akuzave, ku me një fjalor të klisheizuar, për çdo rast e për çdo çështje, mbeten infantilë përballë kreativitetit ligjërues të Ramës, pa iu futur fare produktit real e të prekshëm të qeverisjes. Propagandë për propagandë, mjafton një gjetje polemizuese e Ramës – kadrinjtë – që t’jua deligjitimojë akuzat ose kritikat. Kjo, sepse asnjë akuzë apo kritikë, nuk është e mbështetur në një punë të mirëfilltë gazetareske, thënë ndryshe në një investigim, nga ato që shkaktojnë tërmete politike e që e fusin në histori gazetarin.
Kujtoni Bushatin në kohën e Berishës: nuk qe kaq aktiv sa sot me Ramën në opiniondhënie kritike, por mjaftoi një punë e shkëlqyer e tij gazetareske mbi tragjedinë e Gërdecit, një speciale investiguese e shfaqur të Zonë e Ndaluar, për t’u kthyer në hasëm të njeriut qe qeveriste asokohe. Këtë nuk po bën dot sot. Ashtu siç nuk bën dot, ai e të tjerë kritikë, ndërtimin e një projekti të ri politik që do e rrëzonte Ramën.
Rama ka ardhur në pushtet si projekt politik dhe mund ta rrëzojë vetëm një projekt politik. Dhe siç nuk e bëjnë dot, as nuk po e kuptojnë dot. /tesheshi.com/