Ankesa për koston e lartë të sterilizimit të sallave të operacionit bëri që në spitalet e vendit të kërkohet limitimi i operacioneve kirurgjike të thjeshta dhe jo-urgjente.
E gjithë kjo pasi Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor konsideron se janë shterur fondet për të kryer sterilizimin e pajisjeve kirurgjike.
Ndonëse Fondi kishte ndarë 2 miliardë lek për 2019-të, 28% më shumë se për vitin paraprak, faturat e sterilizimit kanë tejkaluar parashikimet, duke kushtëzuar intervenimet kirurgjike të lehta.
Kështu, në QSUT është ndaluar kryerja e operacioneve si bërja synet, indikacion i shpeshtë urologjik te fëmijët.
Sipas përllogaritjeve nga tabelat zyrtare të Fondit, vetëm sterilizimi merr 5.1 % të kostos totale të shpenzimeve në shëndetësi. /tesheshi.com/