Nga Bashkim Kastrati
Remitancat apo dërgesat financiare që kanë ardhur në Kosovë nga emigrantët kanë shënuar rritje rreth katër për qind, në tre mujorin e parë të këtij viti, krahasuar më periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ndërsa në pjesën e dytë të vitit pritet të rriten dërgesat e emigrantëve, pasi gjatë kësaj periudhe diaspora viziton Kosovën për pushime.
Kosova tradicionalisht ka pasur diasporë të madhe dhe ekonomia e saj vazhdimisht është njohur për varësinë e lartë nga dërgesat e emigrantëve. Diaspora, ka rëndësi të madhe në stimulimin e zhvillimit ekonomik dhe zvogëlimin e çekuilibrit makroekonomik.
Njohës të çështjeve ekonomike thonë se dërgesat e emigrantëve ndikojnë në zbutjen e varfërisë, në mirëqenin e përditshme në shkollim, por jo në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.
Sipas tyre, ndikimi i dërgesave në zbutjen e varfërisë varet kryesisht se kush merr remitenca dhe se si përdoren ato. Prandaj është shumë e rëndësishme që remitencat të mos shfrytëzohen vetëm për mbulimin e shpenzimeve të konsumit personal por gjithashtu të shfrytëzohen për investime të dobishme. Ekonomitë familjare që përkrahen financiarisht nga anëtarët e familjes apo farefisi duhet të inkurajohen dhe tu ofrohen lehtësira dhe stimuj t’i investojnë ato të ardhura në bujqësi, veprimtari sipërmarrëse apo në edukim në mënyrë që të sigurojnë qëndrueshmëri afatgjate dhe të zvogëlojnë varësinë në remitenca.
Trend i rritjes së remitencave në katër vitet e fundit
Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës Besnik Kada, ka thënë për tesheshi.com se në tremujorin e parë të vitit 2015, vlera e remitencave të pranuara në Kosovë arriti vlerën prej 159.3 milionë euro, që paraqet një rritje prej 21.7 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.” Ndërkaq shuma e remitancave gjatë vitit të kaluar, pra me 31 dhjetor 2014 ishte 693 milionë e 700 mije euro.
Shikuar në pesë vitet e fundit, ka një trend të rritjes së remitencave apo dërgesave të parave nga jashtë vendit. Ne vitin 2010-të dërgesat ishin 584 milionë e 300 mije euro. Në vitin 2011-te dërgesat ishin 584 milionë e 800 mije euro. Në vitin 2012-të dërgesat ishin 605 milionë e 600 mije euro. Në vitin 2013-te dërgesat ishin 620 milionë e 800 mijë euro. Në vitin 2014-të dërgesat ishin 693 milionë e 700 mijë euro.
“Siç po shihet edhe në treguesit e viteve të fundit, kemi të bëjmë me rritje të vazhdueshme të dërgesave të bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në perëndim”, thotë Kada.
Profesori i ekonomisë Naim Gashi ka thënë për tesheshi.com se diaspora është investuesi më i madh në Kosovën e pasluftës, me 5 miliardë euro investime në 10 vitet e fundit dhe se dërgesat nga diaspora janë financuesi më i madh Kosovës së pasluftës.
Ai thotë se përderisa kontinenti më i vjetër Evropa, po ballafaqohet me një nga krizat më të rënda financiare dhe buxhetore, diaspora jonë e koncentruar në këto vende, po vazhdon të mbajë ritmin e dërgesave të mjeteve financiare (remitencave) për familjarët e tyre në Kosovë në nivel shumë të lartë.
“Në fakt remitencat janë injeksioni kryesor financiar që merr ekonomia e Kosovës, më një bilanc negativ tregtar dhe të pagesave me botën e jashtme”, thotë Gashi.
Remitencat duhet të zëvendësohen me investime
Profesori Gashi thotë se remitencat vazhdojnë të luajnë një rol të madh në ekonominë e Kosovës, duke kontribuar në rritjen ekonomike dhe duke shërbyer si të ardhura shtesë të njerëzve në nevojë. Ai konsideron se remitencat në Kosovë janë një element i rëndësishëm në luftimin e varfërisë, duke marrë parasysh se Kosova ballafaqohet me një shkallë të lartë papunësisë dhe nivelin të ulët të prodhimit vendor krahasuar me vendet tjera në Ballkanin Perëndimor. Ai thotë se rritja e remitencave në fillim të këtij viti është sinjal pozitiv për ekonominë e Kosovës.
“Ajo çka do të preferoja në të ardhmen është që remitencat të zëvendësoheshin me investime”, theksoi Gashi.
Ai thotë se në këtë mënyrë bashkatdhetarët tanë do të vazhdonin t’ju ndihmonin të afërmve të tyre në Kosovë, do të gjeneronin vende pune, por ata në këtë mënyrë do të krijonin edhe të ardhura për veten e tyre.
“Në këtë mënyrë diaspora do të motivohej edhe më tepër për shtimin e investimeve për të cilat ka jashtëzakonisht shumë nevojë ekonomia e Kosovës”, u shpreh Gashi.
Ndërsa Lulzim Beqiri magjistër i ekonomisë, ka thënë për tesheshi.com se paratë e remitencave që qytetarët e Kosovës i marrin nga të afërmit e tyre që gjinden jashtë vendit paraqesin një aspekt të rëndësishëm në mirëqenien dhe uljen e varfërisë.
“Shumë familje kosovare varen nga dërgimi i parave nga jashtë duke financuar për ushqim, veshmbathje, shkollim etj. Rritja e remitencave është lajm i mirëpritur nga qytetarët pasi pothuajse çdo familje ka një anëtar të saj jashtë vendit, duke pas parasysh gjendjen e vështirë ekonomike rritja e remitencave ndikon dukshëm në përmirësimin e jetesës së qytetarëve kosovarë”, thotë Beqiri, duke shtuar se
Remitencat janë burim i pa kontestueshëm në zhvillimin ekonomik dhe se remitencat e kanë mbajtur Kosovën duke filluar nga vitet e 80-ta, kur pushtuesi Serb, fillojë represionin mbi qytetarët e Kosovës.
Nëse nuk do të kishte remitenca norma e varfërisë do të ishte më e lartë
Sipas një raporti të Grupit për Studime Juridike dhe Politike, në skenarin pa migrim dhe remitenca, vlerësimet tregojnë se, nëse familjet pranuese në Kosovë nuk do të pranonin remitenca, norma e varfërisë do të ishte dukshëm më e lartë për këtë grup.
“Norma e varfërisë do të kishte ndryshuar nga 26 përqindëshi i vëzhguar në rreth 52 për qind, që paraqet një rritje prej 100 për qind”, thuhet në raport.
Sipas këtij raporti, që nga fundi i viteve të 60-ta, migrimi dhe remitancat kanë pasur një rëndësi të madhe për ekonominë e Kosovës dhe se literatura mbi historinë e emigracionit kosovarë sipas raportit ndahet në katër faza.
Faza e parë karakterizohet me migrimin e punëtorëve të Kosovës kryesisht në Gjermani dhe Zvicër, faza e dytë përfshinë periudhën 1989-1997 që karakterizohet me migrimin e meshkujve të rinj me qëllim të ikjes nga shërbimi ushtarak, faza e tretë përfshin periudhën 1998-1999 kur qytetarët u detyruan të migrojnë dhe të shpërngulen për shkak të luftës në Kosovë duke ikur drejt Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi si dhe faza e katërt është migrimi pas vitit 1999 e që paraqet fazën e fundit dhe njëkohësisht aktuale të migrimit. /tesheshi.com/