Koço Kokëdhima akuzon rëndë Edi Ramën se i ka bërë puç dhe po i largon njerëzit e tij nga puna. Ish-deputeti, gjatë një takimi në njësinë 5 të Tiranës, në kuadër të Lëvizjes së tij ka publikuar letrën që i ka dërguar Edi Ramës ku kundërshton dokumentet e Kongresit të PS-së dhe thekson se edhe sot kjo parti nuk ka statut. Kokëdhima thekson se ka lënë qytetin dhe ka jetuar në fshat pranë popullit, për të njohur hallet e tyre, ndërsa shton se janë pushuar përkrahësit e tij në Vlorë.
Letra e plotë
“I dashur Edi! Më vjen thellësisht keq për përkujdesjen tuaj të posaçme, për të lënë jashtë zhvillimeve politike në parti të gjithë përvojën dhe prurjen më domethënëse politike të rajonit Vlorë-Gjirokastër. Nëse ka një reformim të shëndetshëm të PS-së, ky është ai që po bëhet në këtë rajon. Nëse ka një shtim e fuqizim të partisë me 15-16 mijë prurje të reja e cilësore, ky është zhvillimi që udhëhoqa unë atje. Nëse ka një platformë reformuese që e shpëton PS-në nga relativizimi dhe dalja e butë nga pushteti, kjo është ajo që kam ideuar, hartuar dhe zbatuar unë, pjesë-pjesë, qysh nga dita kur kemi ardhur në pushtet e deri më sot. Ju gaboheni kur mendoni që të neglizhoni dhe injoroni këto realitete politike në jetën e PS- së. Ju u kujdesët që të përjashtonit këto kontribute e ide nga debate, si në Asamblenë Kombëtare, ashtu edhe në tryeza të tjera që po përgatisin Kongresin e partisë. Ju nuk bête asnjë përgatitje serioze të Kongresit. Edhe dokumentin themelor të tij e keni paraqitur dyditë para asamblesë kombëtare. Një dokument i turpshëm për nga cilësia, idetë dhe qëllimet. Ju po përgatisni një kongres për të bërë propagandë inproduktive për qeverisjen tuaj dhe jo për të pajisur PS-në me aftësi, programe, strategji dhe taktika për përballimin e sfidave, me të cilat ajo dhe shoqëria jonë do të përballet në 15 muaj e ardhshëm dhe në vitet që vijnë. Unë jam i sigurt se ju po e fusni partinë në një çarje dhe tharje të re dhe përfundimisht shkatërruese për të. Drejtimit pa vizion dhe strategji suksesi, lojërave të zjarrfikësit që ndiqni, lëshimeve të paimagjinueshme dhe dhuratave që u bëni armiqve të PS-së po u vijnë përballë dallgë shkatërrimtare për PS-në dhe me pasoja të rënda për jetën e vendit. Sa thamë më lart, unë nuk kam për qëllim aspak të siguroj përfitime apo mbështetje personale. Unë jam përpjekur shumë të kanalizoj Brenda tryezave të punës së PS-së të gjitha këto diskutime, por ju nuk latë asnjë hapësirë, çuditërisht, pakuptueshmërisht dhe për fat të keq. Faleminderit”./tesheshi.com/