Një firmë kineze e investimeve shtetërore ka siguruar një linjë krediti prej 10 miliardë dollarësh për bankat iraniane. Kjo u bë e ditur nga presidenti i bankës qendrore të Iranit.
Kontrata u nënshkrua në Pekin midis grupit të investimeve CITIC të Kinës dhe një delegacioni të bankave iraniane, të udhëhequr nga presidenti i bankës qendrore Valiollah Seif.
“Iran Daily” tha se fondet do të financojnë projekte për ujë, energji dhe transport.
Irani është jetik për ambiciet tregtare të Kinës, ndërsa zhvillon strategjinë e saj “një Rrip, një rrugë”, që ka për qëllim rritjen e lidhjeve me Europën dhe Afrikën.
Përveç linjës së kredisë, Banka për Zhvillim e Kinës nënshkroi marrëveshje paraprake me Iranin me vlerë 15 miliardë dollarë për projekte të tjera të infrastrukturës dhe prodhimit, njoftoi Seif.
Kina ishte një nënshkruese e marrëveshjes që hoqi sanksionet, në këmbim të kufizimit të programit bërthamor të Iranit.
Presidenti Xi Jinping vizitoi Iranin një javë pas hyrjes në fuqi, duke u zotuar të rritë tregtinë dypalëshe në 600 miliardë dollarë brenda një dekade.
Megjithëse tregtia ishte vetëm 31 miliardë dollarë në 2016, ajo është rritur më shumë se 30 për qind në gjashtë muajt e parë të vitit 2017.
Kina është konsumatori më i madh i naftës së Iranit, e cila llogaritet për një të tretën e tregtisë së përgjithshme.
Që nga heqja e sanksioneve, Pekini ka hapur dy linja kreditore me vlerë 4.2 miliardë dollarë për të ndërtuar linja hekurudhore me shpejtësi të lartë që lidhin Teheranin me Mashhadin dhe Isfahanin, raportoi Iran Daily.
Masa e fundit vijon me një marrëveshje kredie prej 8 miliardë euro të nënshkruar me bankën Exim të Koresë së Jugut muajin e kaluar.
Bankat evropiane mbeten të kujdesshme në kuptim të bashkëpunimit me Iranin, për shkak të dënimeve nga Uashingtoni, por flitet se bisedimet janë në një fazë të avancuar për një marrëveshje të kredive në vlerë 22 miliardë dollarë me bankat nga Austria, Danimarka dhe Gjermania. /tesheshi.com/