Shefi i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati ka zhvilluar një takim në Uashington me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, John Kerry, i cili është takimi i parë zyrtar i nivelit të lartë të qeverisë aktuale në administratën Obama.
Pas takimit Sekretarit i Shtetit John Kerry deklaroi se “Shqipëria është një mike dhe partnere e fortë e NATO-s. Ajo bashkëpunon ngushtë me SHBA dhe me partnerët e tyre në një numër frontesh të ndryshme. Sot do të kemi kënaqësinë të nënshkruajmë deklaratën SHBA-Shqipëri për partneritetin strategjik, që është një përpjekje për të bashkëpunuar më plotësisht për interesin tonë të përbashkët lidhur me luftën kundër terrorizmit, për sigurinë në rajon, kundër ISIS dhe nisma të tjera.
Vitin e kaluar në Uells, pata rastin të takohem me Kryeministrin Edi Rama, ku ne diskutuam për shumë nga këto probleme dhe sot ne do ta vazhdojmë këtë diskutim. Shqipëria ka ndihmuar shumë në transferimin e njerëzve të grupit të rezistencës iraniane MEK dhe në çështje të tjera. Ne e mbështesim anëtarësimin e Shqipërisë në BE sa më shpejt që të jetë e mundur dhe ata janë në rrugën për të bërë gjërat e nevojshme për këtë anëtarësim. Ne jemi gjithashtu të kënaqur që Shqipëria ka rënë dakord të bëhet mikpritëse e takimit ministerial për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Kjo ka rëndësi për të gjithë, duke patur parasysh njoftimet lidhur me aktet në të cilat është angazhuar ISIS. Ne po punojmë gjithashtu në përpjekjet e përgjithshme rajonale lidhur me luftën kundër ISIS dhe bashkëpunimi i Shqipërisë si anëtare e koalicionit ka qenë absolutisht i rëndësishëm”.
Nga ana e tij, ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati tha se Shqipëria dhe SHBA janë partnerë dhe aleatë strategjikë si në NATO edhe në organizata të tjera. Ne, tha ai, punojmë ngushtë së bashku në Irak, Afganistan dhe së fundi në luftën kundër terrorizmit global dhe ekstremizmit të dhunshëm. Nëse rajoni ynë është sot në paqe dhe aspiron për anëtarësime të reja, kjo është kryesisht si rrjedhojë e angazhimit të pandryshuar të SHBA, tha ministri Bushati.
Pas takimit me Sekretarin Kerry, ministri i Jashtëm i Shqipërisë nënshkroi me zëvendës sekretaren e Shtetit Victoria Nuland një deklaratë të përbashkët për partneritetin strategjik mes dy vendeve.