Kryeministri Edi Rama tha se do të propozojë që diplomat e universiteteve shqiptare të jenë të barasvlershme me ato të universitetet europiane, gjatë takimit për diskutimet mbi Komunitetin e ri Politik Europian, që do të mbahet më 6 tetor në Pragë.
“Të gjithë liderët e kësaj gjeografie, që përfshin vendet e BE, vendet e Ballkanit, vende që janë shumë të zhvilluara por që nuk janë në BE, si Zvicra e Norvegjia, do të mblidhen në Pragë, për të diskutuar jetësimin e idesë së një komuniteti të ri politik europian”, tha Rama gjatë fjalës në Kongresin e Dytë Ndërkombëtar të Nanoteknologjisë.
Siç dihet, ky komunitet është një ide e Macron për ta relaksuar bashkëpunimin europian edhe me ato vende që nuk janë anëtare të BE-së, por aspirojnë BE-në.
“Për ne është e rëndësishme të shtyjmë në këtë drejtim, sepse dimensioni akademik dhe arsimor nuk mund të presë anëtarësimin e plotë të vendit në BE. Nëse kjo do të kthehet në një politikë të re të BE do të jetë një lehtësim i jashtëzakonshëm për të gjithë ato familje që investojnë shumë për të shkolluar fëmijët në universitete jashtë vendit, për të gjithë ata që i përkasin botës akademike këtu në vend, dhe nuk diskutohet për përfituesit e drejtpërdrejtë, studentët”, arsyetoi Rama.
Siç tha ai, kjo do u japë mundësinë të rinjve shqiptarë që “mos kenë nevojë të largohen për të studiuar në një universitet prestigjioz në Spanjë, Gjermani, apo Holandë, por ta gjejnë në Shqipëri mundësinë që duke hyrë në një universitet vendas, të kenë programin dhe pastaj në fund, diplomën e barasvlershme të një universiteti në Spanjë, Gjermani apo Holandë”. /tesheshi.com/