Presidenti amerikan Donald Trump dha urdhërin e pezullimit të udhëtimit nga Evropa në Shtetet e Bashkuara për 30 ditë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në SHBA.
Ndalimi do të zbatohet nga e premtja në mesnatën me kohën e SHBA.
“Për të parandaluar hyrjen e infektorëve të rinj në vendin tonë, ne do të pezullojmë të gjitha udhëtimet nga Evropa në Shtetet e Bashkuara për 30 ditët e ardhshme,” tha Trump në një fjalim televiziv në Shtëpinë e Bardhë. Ai gjithashtu tha se kufizimet e udhëtimit nuk zbatohen për Mbretërinë e Bashkuar, ku deri më tani janë konfirmuar 460 raste të koronavirusit.
Shtëpia e Bardhë tha pas fjalimit të Trump se ndalimi vlen për të gjitha shtetet e Shengenit. Trump gjithashtu ka rekomanduar që të monitorohet situata në Kinë dhe Korenë e Jugut, në të cilat epidemia duket se po zvogëlohet, dhe do të marrë në konsideratë lehtësimin e kufizimeve të udhëtimit për ato vende.
Trump njoftoi gjithashtu planet për të siguruar miliarda dollarë në ndihmë të bizneseve të vogla për të frenuar ndikimin e koronavirusit në ekonominë amerikane. Ai gjithashtu i bëri thirrje Kongresit të miratojë ulje të mëdha të taksave si pjesë e një “përpjekje agresive dhe gjithëpërfshirëse” për të luftuar virusin.
“Ne po kanalizojmë të gjitha forcat e qeverisë federale dhe sektorit privat për të mbrojtur popullin amerikan”, tha Trump. /tesheshi.com/