Komisioni Evropian deklaron se është i interesuar në luftën kundër evazionit fiskal në të gjitha nivelet, por se nuk është në gjendje të komentojë ose veprojë në ndonjë rast specifik të përmendur në “Dokumentat e Pandorës”.
KE u bën thirrje autoriteteve kombëtare dhe sistemeve gjyqësore që të reagojnë në raste të veçanta.
“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve kompetente në nivelet kombëtare dhe rajonale që t’u përgjigjen rasteve individuale dhe sistemeve të tyre gjyqësore për të përmbushur detyrimet e tyre për këtë çështje,” tha zëdhënësja e KE, Dana Spinant.
Lidhur me “Pandora”-n, e cila zbulon marrëveshjet sekrete të një numri të madh të zyrtarëve të lartë nga 90 vende të botës, ata thonë në Bruksel se ata “nuk merren me raste individuale” dhe se është “e vështirë të japësh një përgjigje gjithëpërfshirëse” kur bëhet fjalë për ndonjë dëshmi në lidhje me pjesëmarrjen e këtyre njerëzve në aktivitetet e mësipërme.
Thuhet se ky është një “hetim ndërkombëtar nga jashtë”, të cilin Bashkimi Evropian po e ndjek me interes, sepse merret me çështje që kanë një rëndësi të madhe për Brukselin.
KE shton se ata po punojnë për të forcuar legjislacionin brenda BE-së, në mënyrë që të sigurojnë standardet më të larta të transparencës dhe drejtësisë së sistemeve tatimore, për të cilat ata këmbëngulin në bashkëpunimin ndërkombëtar me partnerët.
“Lufta kundër abuzimit dhe evazionit fiskal tani është më e rëndësishme se kurrë për të ndarë kostot e pandemisë COVID-19 në mënyrë të barabartë midis taksapaguesve dhe kështu të forcojë rimëkëmbjen ekonomike,” përfundoi KE.
Në Bruksel, ata shtojnë se BE ka bërë përparim të madh në vitet e mëparshme në fushën e ligjeve tatimore, si brenda BE-27 dhe në bashkëpunim me partnerë në të gjithë botën, si dhe në luftën kundër pastrimit të parave.
Dokumentat e Pandora-s zbulojnë marrëveshjet sekrete të 35 liderëve botërorë, përfshirë presidentët aktualë dhe ish, kryeministrat dhe krerët e shteteve.
Ata gjithashtu hedhin dritë mbi financat sekrete të më shumë se 300 zyrtarëve të tjerë publikë, si ministrat e qeverisë, gjyqtarët, kryetarët e bashkive dhe gjeneralët ushtarakë në më shumë se 90 shtete. /tesheshi.com/