LSDM i do shqiptarët e korruptuar sepse i zhvat më lehtë. Në këtë mënyrë stimulon krimin dhe korrupsionin te shqiptarët dhe shqiptarët bëhen edhe të parëndësishëm, mjafton të jenë vota që Zaevi të ketë pushtet. Kështu shprehet Zeqirija Ibrahimi, nënkryetar i Lëvizjes BESA dhe kandidat për kryetar të Çairit.
Ai thotë se kur bëhet fjalë për shqiptarët, LSDM-ja dhe VMRO-ja janë njësoj dhe, sipas tij, kryeministri Zaev nuk i ka parë asnjëherë shqiptarët si qytetarë të vendit të tij.
“Për kryeministrin shqiptarët janë vota me anë të të cilëve do të arrinte pushtetin. Kjo është edhe arsyeja që LSDM ka bashkëpunim me të njëjtën BDI që më parë e akuzonte rëndë.
Po ajo LSDM që bënte deklarata për luftë kundër korrupsionin, madje i publikonte BDI-së përgjime, si dëshmi se sa të korruptuar ishin funksionarët e saj, pa të keq pranoi t’i ketë edhe ministra të njëjtët”, është shprehur zyrtari i Besës.
Ndërsa për simpatinë që duket se shqiptarët kanë për kryeministrin Zaev, marrë parasysh se ai mori dhjetëra mijëra vota nga ta, Ibrahimi thotë se kryeministri tregoi fytyrën e tij dhe vetëm pasi erdhi në krye të ekzekutivit dëshmoi se nuk i do shqiptarët.
“Realiteti është se Zaev i do shqiptarët vetëm si votues, por jo edhe si shqiptarë. Shembullin më të më mirë e keni në Çair, Tetovë e Gostivar, ku ai e mbështet po atë parti që deri dje e quante pjesë të regjimit të krimit dhe korrupsionit, pra BDI-në”, është shprehur Ibrahimi.
Por, sipas tij, Zaev tashmë është demaskuar dhe është i sigurt se shqiptarët nuk do t´ia falin sepse ata nuk janë mashë që të përdoren nga kreu i qeverisë maqedonase.
“Shqiptarët e votuan Zaevin sepse ai ishte kundër regjimit të VMRO-BDI, por kur ai bëhet me këtë parti, shqiptarët nuk janë as me të, as me BDI-në”, thotë kandidati për kryetar të Çairit, rreth bashkëpunimit në nivel qendror e lokal mes dy partive.
Në lidhje me ligjin për gjuhën shqipe, Ibrahimi thotë se drafti erdhi në Kuvend në vigjilje të zgjedhjeve lokale. Ai shpjegon se me këtë ligj gjuha shqipe prapë nuk barazohet me gjuhen maqedonase, por vetëm avancon.
“Ishte ky edhe një mashtrim i LSDM-së dhe i partnerëve të saj shqiptarë. U pa se cili është qëllimi i tij dhe tashmë është e qartë se nuk është tema te gjuha, por te përfitimi politik për zgjedhjet lokale”, ka shtuar ai.
Ai ka shpjeguar edhe rezultatin që, sipas tij, ka krejt historia e gjuhës shqipe në Kuvend.
“LSDM-ja, BDI-ja dhe Aleanca kanë sjellë në Kuvend ligjin për përdorim të gjuhëve vetëm në leximin e parë, që ky ligj të kalojë në fazën e parë para zgjedhjeve lokale, por askush nuk mund të garantojë se ai nuk do të pësojë ndryshime në fazën e dytë. Madje, vetë Zaevi paralajmëroi se ligjin do ta dërgojë edhe në Komisionin e Venecias, ku ndryshimet do të jenë të pashmangshme, ashtu siç ka paralajmërime se vetë LSDM-ja, përmes njerëzve të saj, do të iniciojë që ligji të bjerë në Gjykatën Kushtetuese”, thotë Ibrahimi.
Sipas tij, historia bashkëpunuese e filluar mes LSDM’së dhe BDI’së, për të cilën nuk ka asnjë rëndësi pozita e shqiptarëve, tregohet edhe në garën për Shkup, ku partia e Ali Ahmetit nuk ka kandiduar askënd për përfaqësim të shqiptarëve në kryeqytet.
“Një parti shqiptare, që pretendon se është më e madhja, nuk nxjerr kandidat për Shkupin, duke hequr dorë nga prania e shqiptarëve në këtë qytet. Ky është çmimi me të cilin ajo i shet shqiptarët: mjafton të fitojë në Çair, pavarësisht se shqiptarët mbeten të papërfaqësuar në Shkup.
Ky qytet ka qenë dhe ne synojmë të mbetet një nga tri bërthamat e shqiptarisë dhe ne nuk mund të heqim dorë nga Shkupi siç hoqi dorë BDI-ja.
Nuk mund ta lejojmë që edhe në Shkup të na përsëritet shembulli i Manastirit vetëm sepse katundarët e Zajazit nuk ia dinë vlerën shqiptarisë së Shkupit”, është shprehur ai. /tesheshi.com/