Nga Mark Brunga
Piktori Aleksandër Lleshi ka disa kohë që ndodhet ne Durrës dhe mund ta takosh në bregdet gjatë ditës, ose në zonat e mbipopulluara të plazhit gjatë mbrëmjeve me penel në dorë. Ai është një piktor me një bagazh të madh veprash të bukura të vlerësuara në metropolet artistike të Perëndimit.
Para shumë vitesh ai u nis si refugjat drejt Italisë me profesionin e mekanikut, ndersa u kthye ne atdhe si një piktor me të ardhme. Lleshi tashmë njihet si një artist që veprat e veta i ka shpalosur mes dy brigjeve të Detit Adriatik, në brigjet shqiptare dhe në ato italiane. Në të dy këto vende ai ka hapur ekspozita personale, si edhe ka marre pjesë në disa kolektive, duke qënë një pikëlidhje kulturash mes dy popujve, ku dialogohet me bukurinë universale të artit.
Pasioni i tij për pikturën ka qenë i hershëm, që në fëmijëri. Pavarësisht se, për arsyet që dihen, gjatë viteve të regjimit komunist atij iu mohua e drejta për të studiuar artin e pikturës që ai e donte aq shumë. Filloi punë në Uzinën Mekanike Bujqësore, por penelin kurrë nuk e hoqi nga dora, së bashku me kitaren; në çaste trishtimi dhe gezimi. Lidhur me periudhen e parë të jetës së tijë kur ëndërrat “shkulmojnë” dhe s`i realizonte dot, ai kujton me modesti: “Unë artin e kam pasur pasion që në fëmijëri. Ishte diçka e lindur fëmijërore dhe nuk ishte thjesht një rastësi që e zhvillova sot apo dje. Gjithsesi me kujtohet koha kur ne ishim fëmijë në plazh dhe duke luajtur vepronim me rërën, krijonim figura, krijonim gjëra abstrakte dhe aty gjithnjë lindte dëshira që të krijonim diçka më me vlerë edhe në telajo.
Në atë kohë shkolla nuk më doli që të vazhdoja në Liceun Artistik, por u detyrova të vazhdoja shkollen mekanike. Gjithsesi deri në kohët e sotme s’kam ndaluar kurrë së pikturuari, pavarësisht se nuk studiova pikturë gjetiu në ndonjë shkollë për asnjë ditë”.
Pas fillimit të viteve ’90-të, si shumë të tjerë, edhe Aleksandër Lleshi iu drejtua tokës së premtuar, përtej detit… dhe ai e gjeti atë. Pikturat e realizuara nga ai u vleresuan dhe kjo e nxiti për më shumë kurajo në rrugët e fatit dhe talentit të zgjuar tashmë. Veprat e tij kanë udhëtuar në qytete të ndryshme të Italisë, Brukselit, deri në Japoni, ku në ekpozitat e hapura është nderuar me çmime prestigjioze.
Ekspozita e tij personale “Ngjyrat e tokës sime” ka qenë surprizuese për qarqet artistike italiane, duke marre edhe vlerësime të shumta, kudo ku ka shkuar. Ndërkohë, tani, në muajt e verës, ai nuk mund të rrijë pa ardhur edhe në vendlindje, por ai nuk mund të rrijë as larg telajos dhe penelit.
Edhe në Tiranë e Durrës ai ka hapur ekspozita personale. Sigurisht me ngjyrat e tokës së tij. Kohën e shfrytëzon për të “incizuar” shpirtërisht në telajo bukuritë e rralla të bregdetit durrsak dhe për t’i shpërndarë me pas ato motive, plot dritë dhe ngjyra të rralla, nëpër eksponatet e vendeve të tjera.
Deri më sot, nga dora e tij kanë dalë rreth 600 punë të ndryshme, në vaj, të cilat vijojnë të pëlqehen dhe të vlerësohen.
“Në Itali kam qënë në ekspozita në Bari, Bergamo, Milano, Foxhia. Kam ekspozuar gjithandej”, tregon Aleksandri, që më pas shton: “Pastaj atje ka dhe një gjë shumë interesante, se krijojne aktivitete të vazhdueshme për artin dhe të nxisin të ekspozosh edhe kur t`i nuk e ke planifikuar një gjë të tillë. Miqtë të thërrasin: eja se ka një ekspozitë këtu, eja atje dhe kështu funksionon nxitja për të mos rreshtur së punuari. Ka një klimë shumë nxitëse. Kam marrë pjesë në një konkurs, ‘Trofeu di Bergamo’, që e organizonte Observatori Parlamentar Europian. Mora pjesë së bashku me një koleg që e cilësoj “Profesor” për ndihmën që më ka dhënë dhe që e kam shok, Sefedin Stafa, si dhe me Petraq Pecanin. Në atë konkurs mes 1500 piktorëve nga vende të ndryshme të botës kam fituar çmimin e IV-të. Ky çmim mu duk vërtetë si privilegj”!..Po kështu privilegj ishte për të edhe çmimi ndërkombëtar në Tokio. “Conferito al Maestro d’Arte” me motivacionin “Për l’elevato valore stilistiko espresso”, (për vlera të larta stilistike espresive)”.
Të shumta kanë qënë emisionet televizive për vlerat artistike të Aleksandrit. Ndërsa në shtyp është theksuar se shumë nga veprat e tij janë subjekt i koleksioneve dhe galerive private.
Një gazetë theksonte se në punimet e Aleksandërit gjejmë shkëlqimin dhe qartësinë e vendit të tij, të ndriçuar nga dielli mesdhetare. Në penelin e tijë ndërthuren harmonia e ngjyrave te peisazheve si dhe sigurta dhe transparenca dhe gjallëria e imazheve të hedhura në kanavacë plot dashuri. /tesheshi.com/