Pesë persona, mes të cilëve edhe një polic, janë plagosur në dy incidente në Edmonton (Alberta, Kanada) mbrëmjen e së shtunës. Një oficer që kontrollonte trafikun gjatë një loje të futbollit, u godit nga një makinë me shpejtësi të madhe dhe më pas u sulmua me thikë.
Një burrë që ngiste një kamion goditi të paktën katër këmbësorë dhe u arrestua dy orë më vonë pas një ndjekjeje nga policia. Shefi i Shërbimit Policor të Edmonton, Rod Knecht, tha se oficeri dhe automjeti i tij u përplasën nga një Chevrolet Malibu i bardhë në orën 20:15 të orës lokale jashtë Stadiumit Commonwealth të Alberta.
Pas përplasjes, shoferi pastaj doli nga makina dhe goditi oficerin e policisë disa herë, para se të ikte në këmbë. Oficeri u dërgua në spital por dëmtimet e tij nuk mendohet të jenë kërcënuese për jetën.
Knecht tha se informacioni rreth pronarit të regjistruar të automjetit iu transmetua oficerëve të patrullimit. Pak para mesnatës, një burrë që ngiste një kamion me qira U-Haul u ndalua në një pikë kontrolli, pasi emri i tij në dokumente thuhej të ishte “shumë i ngjashëm” me atë që po kërkonte policia.
“Kamioni i U-Haul u largua menjëherë nga vendi i ndalimit, dhe u ndoq nga oficerë të policisë drejt qendrës së Edmontonit,” tha shefi i policisë.
Ai tha se kamioni “u përpoq që të godasë me qëllim këmbësorët” gjatë ndjekjes së policisë. Shoferi, një 30-vjeçar, u arrestua pasi automjeti i tij u përmbys në një ndjekje policore. Gjendja e katër këmbësorëve të lënduar ende nuk dihet.
“Bazuar në provat në vendin e ngjarjes dhe veprimet e të dyshuarit, këto incidente janë duke u hetuar si akte terrorizmi”. Policia tha se individi i arrestuar ishte i njohur për autoritetet. Ata thanë se aktualisht besojnë se i dyshuari ka vepruar vetëm, por nuk përjashtojnë përfshirjen e personave të tjerëve. /tesheshi.com/