Pas Prokurorisë së Përgjithshme, është dhe KQZ ajo e cila “ka kaluar” me opozitën në rastin “Kajmaku”. Ashtu siç ditë më parë, organi qëndror i akuzës doli me konkluzioni që i shkonin përshtat opozitës në denoncimin e saj ndaj kryebashkiakut të ri të Vorës, edhe KQZ ka bërë të njëjtën gjë duke e shkarkuar njeriun e pushtetit nga detyra.
Rezultati ka qenë 5-0 në votim, për vendimin se Kajmakut duhet t’i hiqet mandati, me pretendimin se nuk ka raportuar një çështje penale ndaj tij në Greqi, përfshirë dhe të pasurit të një tjetër identiteti.
Por ndërsa për këtë të fundit është treguar deri diku transparent, duke thënë se emrin e ndërroi për lehtësira si emigrant (është quajtur Jorgo Toro), në rastin e procesit penal të cilin duhej të deklaronte në formularin e dekriminalizimit, edhe pse ka dalë i pafajshëm për një akuzë për fallsifikim parash, tha se procesi ishte zhvilluar pa dijeninë e tij.
“Sa i takon çështjes së mospasqyrimit në formularin e vetëdeklarimit të fakteve lidhur me ndonjë masë sigurimi ose urdhër kërkimi ndaj presonit tim, sqaroj se një gjë e tillë ka ndodhur për shkak të mungesës së plotë në dijeninë time lidhur me fakte të tilla, sikundër del edhe nga përmbajtja e shkurtimit të vendimit duke qenë se i gjithë procesi i hetimor është zhvilluar në mungesën time”, shprehet vetë Kajmaku në një letër dërguar më herët Prokurorisë së Përgjithshme.
Tashmë, ai ka 45 ditë kohë për të ankimuar vendimin në KQZ, por Bashkia e Vorës, ashtu siç ajo e Shkodrës, mbetet pa kryetar.
Nga ana tjetër, dy vendimet e fundit për Kajmakun, rrëzojnë pretendimet e opozitës se të gjitha pushtetet janë në dorë të Ramës dhe se ai urdhëron çfarë të dojë. /tesheshi.com/