Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha të premten se vizita e presidentit rus Vladimir Putin në Beograd, është një gjë pozitive dhe tregon qartë se Moska zyrtare po shkon drejt njohjes së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.
“Vizita e presidentit rus në Serbi është një gjë pozitive. Putin, gjatë vizitës së tij në Serbi, pas takimit me presidentin serb, përsëriti mesazhin që më parë ia ka thënë dhe presidentit Thaçi. Kjo do të thotë se Rusia po shkon drejt njohjes së Republikës së Kosovës”, ka thënë Veseli.
Ai përsëriti se pranimi i marrëveshjes përfundimtare me Serbinë mbi normalizimin e marrëdhënieve në fund do të qartësohet dhe qytetarët e Kosovës do të vendosin në një referendum.
“Ne nuk do të ndalemi, do të hyjmë në një proces të dialogut dhe do të marrim vendime që do të jenë sovrane. Vendimin përfundimtar do të sjellin qytetarët në referendum”, tha kryeparlamentari kosovar. /tesheshi.com/