Ndershmëria është ende ‘në modë’, e madje ka edhe nga ato ngjarje e nga ato gjeste, të cilat të bëjnë të vlerësosh qenien njerëzore.
Në lidhje me këtë dinë diçka punonjësit e bar Franceschi di Gavinana në Pistoia të Italisë. Rreth një javë më parë, një grup turistësh nga një qytet tjetër hynë në lokal dhe dy prej tyre konsumuan nga një lëng frutash dhe kafe. Papritur, sikur të mos kishte ndodhur asnjë gjë, turistët falënderuan stafin dhe u larguan nga lokali pa paguar.
Nga ajo ditë ka kaluar thuajse një javë, por surpriza ndodhi. Nëpërmjet postës së lokalit erdhi një zarf në brendësi të së cilës ndodhej shuma prej 3 eurosh dhe një letër: “Brenda ndodhen 3 euro për lëngun e frutave dhe kafen e konsumuar më 1 tetor gjatë orëve të pasdites dhe që nuk janë paguar. Kërkojmë ndjesë”. Mesazhi është publikuar në Facebook nga një prej punonjësve./tesheshi.com/