Qeveria shqiptare ka vendosur të luajë kartën “femërore” me Hollandën, për t’i ndryshuar qëndrim e marrë “Po”-në e dëshiruar prej saj për negociatat. Nuk dihet nëse është ide e Ramës apo e vetë ministreve të tij, të cilat janë bërë bashkë e i kanë përcjellë një letër Amsterdamit, duke i kërkuar një vetëdijësim mbi vendimmarrjen ndaj Shqipërisë.
“Si nëna, si motra dhe si gra që luftojmë për familjet tona dhe vendin tonë, ne do të donim të shtronim tek ju një çështje që na shqetëson shumë të gjithëve, e cila ka rëndësi të jashtëzakonshme për të gjithë shqiptarët- perspektiva evropiane e vendit tonë.
Në Shqipëri ka një admirim për Holandën, si një komb me tradita të mëdha dhe një rekord të guximit politik e tolerancës shoqërore.
Në rrugën e demokracisë ne hymë vetëm 30 vjet më parë, pas 5 dekadash të gjata e të errëta, si një lloj Koreje europiane e Veriut.
Shpresojmë ta kuptoni se sa e vështirë është beteja jonë, të cilën nuk mund ta fitojmë të vetëm, dhe disa nuk duan që ne ta fitojmë, përfshirë dhe një pjesë këtu në vendin tonë”, thuhet në letër.
Ndër të tjera, aty përmendet dhe fakti se sipas tyre, forca të errëta kërkojnë që Shqipërisë të mos i hapen negociatat.
“Dështimi i përpjekjeve tona për të çelur bisedimet e anëtarësimit është çmimi më i madh për këto forca të errëta. Ne nuk kërkojmë që të ndryshoni pikëpamjet tuaja, thjesht duam që të bashkoheni me kombet e tjera të Europës duke i shtrirë dorën Shqipërisë dhe të na lejoni t’i çojmë këto përpjekje tonat në të një tjetër nivel”, thuhet ndër të tjera në letër.
Po cilat janë këto forca të errëta? Gjykuar nga zhvillimet politike shqiptare, me gjasë, edhe pse nuk potencohet nëse ëshët fjala për “forca të errëta” jashtë apo brenda, me gjasë nënkuptohet opozita jashtëparlamentare shqiptare.
Letra është nënshkruar nga të gjitha ministret gra në kabinetin “Rama”. /tesheshi.com/