Kryeministri britanik Boris Johnson është zotuar të mos vonojë më daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, i planifikuar për 31 tetor, duke thënë se ai më mirë do të vdiste në një kanal sesa ta bënte atë.
I pyetur nëse ai mund t’i premtojë publikut britanik se nuk do të shkojë në Bruksel dhe të kërkojë një shtyrje tjetër të Brexitit, Johnson tha: “Unë mund ta premtoj atë. Do të preferoja të gjendesha i vdekur në një kanal”.
Në një fjalim në një stacion policie në veri të Anglisë, ai pyeti se cili ishte qëllimi për të vonuar më tej daljen e Britanisë nga BE, raportoi Reuters.
Deputetët e Dhomës së Komunave kanë mbështetur një projekt-ligj që synon parandalimin e Brexit-it pa marrëveshje, i cili e detyron Johnson të kërkojë nga Brukseli që të zgjasë afatin e Brexit-it përtej 31 tetorit.
Deputetët e opozitës dhe rebelët midis Partisë Konservatore në pushtet, miratuan projektligjin me 329 vota pro.
Ligji kështu kaloi në fazën e parë, dhe nëse miratohet plotësisht, Johnson do të detyrohet të kërkojë një zgjatje të afatit të Brexit përtej 31 tetorit, përveç nëse arrihet marrëveshje me Bashkimin Evropian.
Johnson ka paralajmëruar më parë se ai do të kërkonte që deputetët të shpallnin zgjedhje të parakohshme menjëherë nëse projektligji miratohej. /tesheshi.com/