Kryeministri britanik Boris Johnson dhe Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan duan të takohen me krerët gjermanë dhe francezë për të diskutuar operacionin ushtarak të Turqisë në veri të Sirisë.
Kabineti i Johnson tha se kryeministri britanik dhe Erdogan kishin rënë dakord “të kërkonin një mundësi për t’u takuar me Presidentin francez Emmanuel Macron dhe Kancelaren gjermane Angela Merkel për të diskutuar situatën aktuale, si dhe çështjet e migracionit dhe antiterrorizmit”.
Johnson e përshkroi marrëveshjen e armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA si një “hap në drejtimin e duhur”, raporton AP.
Sidoqoftë, ai theksoi se ka ende shqetësime të mëdha për operacionin ushtarak të Turqisë në verilindje të Sirisë.
Armëpushimi hyri në fuqi të enjten mbrëmë në mënyrë që kurdët të tërhiqeshin nga verilindja e Sirisë, gjë që duhet të zgjasë pesë ditë, deri të martën. /tesheshi.com/