Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry është transportuar drejt një spitali në Zvicër, ku ndodhet për takimet e 6 superfuqive të botës për të diskutuar në lidhje me programin bërthamor të Iranit, pasi është rrëzuar nga biçikleta shumë pranë alpeve franceze.
Kryediplomati amerikan, 71 vjeç, është në gjendje të mirë shëndetësore, por ka pësuar vetëm një dëmtim të lehtë në gju, bën të ditur zëdhënësi i tij. Kerry udhëtoi me helikopter drejt Gjenevës, ku iu nënshtrua ekzaminimeve më të specializuara.
Pas bisedave për marrëveshjen e mundshme bërthamore me Iranin, që ka si afat përfundimtar 30 qershorin, Kerry pritej të udhëtonte drejt Madridit të hënën, për nënshkrimin e një marrëveshjeje mbrojtëse.
Aksidenti ndodhi në Scionzier të Francës, rreth 40 km në juglindje të kufirit me Zvicrën. Kerry, siç raporton zëdhënësi John Kirby, nuk e ka humbur ndërgjegjen. Ai njihet për simpatinë e madhe që ka ndaj çiklizmit, teksa shpesh merr edhe biçikletën e tij ngado që udhëton.