Nga Bashkim Kastrati
Ligji për Kontrollin e Duhanit në hapësirat publike nuk po respektohet sa duhet. Edhe pse ky ligj ka hyrë në fuqi në vitin 2013, zbatimi i tij në praktikë lënë për të dëshiruar. Fillimisht vullneti i qytetarëve dhe lokaleve ka qenë që të respektohet në masë të madhe, por me kalimin e kohës, kur kanë parë joseriozitetin e institucioneve përkatëse, ka filluar më të madhe konsumimi i duhanit nëpër lokale të mbyllura publike. Mosrespektimi i këtij ligji zakonisht ndodh gjatë stinës së dimrit.
Tesheshi.com ka bërë një vëzhgim rutinor se sa po respektohet ligji në fjalë nga lokalet në Prishtinë dhe ka parë se një pjesë e madhe e lokaleve nuk e respektojnë fare Ligjin për Kontrollin e Duhanit.
Gjatë këtij vëzhgimi, është vërejtur se në Prishtinë në lokalet që konsumohet duhani janë ato në lagjen “Dardania” përkatësisht në zonën të “Santea”. Në këtë zonë pothuajse të gjitha lokalet nuk e respektojnë ligjin. Pjesa tjetër e lokaleve që lejojnë konsumimin e duhanit janë ato afër Qendrës së Studentëve. Por edhe në lokalet që gjenden në qendër afër sheshit “Nënë Tereza” konsumohet duhani vazhdimisht. Por në këtë pjesë ka edhe lokale të cilat e respektojnë Ligjin për Kontrollin e Duhanit. Pronarët e këtyre lokaleve ankohen për konkurrencë të pabarabartë, sepse ata që nuk e respektojnë ligjin kanë më shumë klientë.
Ndërkaq, inspektorët sanitarë thonë se kanë deponuar një numër të lëndëve në Gjykatën Themelore në Prishtinë, por ajo nuk i ka shqyrtuar ato me prioritet. Pra kjo zvarritje ka ndikuar që të ketë ngecje në zbatim të këtij ligji dhe shumë lokale ta rikthejnë konsumimin e duhanit në kafenetë e tyre.
Kjo situatë ka ndikuar që së këto ditë në Kuvendi i Kosovës është miratuar një Ligj për kundërvajtje, ku gjobat deri në 500 euro mund të shkruhen nga vetë inspektorët sanitarë, duke e futur ligjin në fuqi që prej fillimit të vitit.
Sipas organizatave që merren me monitorimin e zbatimit të Ligjit për Duhanin, ky ligj pritet të ndikojë pozitivisht në ndalimin e pirjes së duhanit në hapësirat publike. Kjo për faktin se më lëndët nuk do të presin me vite për shqyrtim, por do të shqiptohen direkt gjobat. Kjo nënkupton që nëse nuk paguhet gjoba, fillon procesi me përmbaruesit. Ky proces konsiderohet të jetë shumë i suksesshëm.
Ndërkaq, një inspektor sanitar, i cili nuk ka dashur që të identifikohet ka thënë se kanë marrë kërkesa nga vartësit e tyre që të kenë prioritet monitorimin e zbatimit të Ligjit për Duhanin.
“Na ka ardhur një njoftim nga kryeinspektorja se do të kemi shtim të inspektimeve gjatë muajit shkurt. Përveç punëve tjera që kemi edhe në sektorin e shëndetësisë, tashmë duhet bërë prioritet edhe inspektimin për duhanin që është një ngarkesë e madhe. Gjithsej jemi 7 inspektorë sanitarë dhe na duhet edhe trefishi për të bërë inspektime ashtu siç duhet, pra për të bërë inspektime sa është e nevojshme”, ka thënë ky inspektor.
Ndryshe, Inspektorati Shëndetësor në vitin 2016 ka bërë edhe 582 inspektime, nga të cilat 210 janë kryer në institucionet publike shëndetësore – duke shënuar 16 raste të shkeljeve. Nga 370 inspektime në institucionet private shëndetësore, është shënuar vetëm një rast i shkeljes së ligjit.
Nuk kanë vullnet institucional për ndalimin e duhanit në hapësirat publike
Qytetarët thonë se Ligji për Kontrollin e Duhanit nuk po zbatohet si duhet dhe se lokalet afariste nuk po e respektojnë këtë ligj. Ata thonë se nuk ka vullnet të institucioneve për ta parandaluar konsumimin e duhanit në hapësira publike.
“Ligji për Duhanin pak është duke u respektuar. Zakonisht dal në disa lokale të ndryshme në Prishtinë gjatë ditës, por edhe gjatë natës dhe në shumicën e tyre pihet duhani. Shembull sot isha në një kafene në qendër të Prishtinës afër kinemasë ABC dhe pihej duhani brenda pa asnjë pengesë. Ai lokal me pastaj ka punë më shumë sesa këta tjerët që po e ndalojnë. E kemi parë edhe ne lajme se si ministrat dhe deputetët e konsumojnë duhanin në hapësira publike. Ky është një shembull i keq. Ata që vet e kanë bërë ligjin vet e shkelin”, thotë Luan Hoti
Ndërkaq Egzon Shabani thotë se institucionet që merren me zbatimin e ligjit për kontrollin e duhanit, nuk po e bëjnë punën e tyre si duhet dhe po i mbyllin sytë para duhanpirësve.
“Ka disa lokale që i kanë krijuar disa hapësira që janë me najlon dhe aty pihet duhani, ndërsa brenda jo. Nuk e di si është me ligj, por as ashtu nuk duhet lejuar për shkak se dera e lokalit po qëndron e hapur dhe i gjithë tymi po hyn edhe brenda. Nuk ka seriozitet të institucioneve përkatëse për ta ndaluar pirjen e duhanit në lokale publike. Nëse kish pas seriozitet, atëherë për një javë ish ndalu pirja e duhanit në këto vende. Mjafton një lokal me e gjobit dhe të gjitha tjerat për rreth apo edhe më larg e kishin respektuar ligjin”, ka thënë Shabani.
Ligji për Kontrollin e Duhanit përcakton sanksione rigoroze për ata që e shkelin. Me ligj është e paraparë që personi fizik dënohet me 50 euro, personi përgjegjës i lokalit me 500 euro dhe biznesi nga 3000 deri në 5000 euro, por këto masa duhet vetëm të ekzekutohen dhe atë njëjtë për të gjithë.
Ndryshe, duhani është shkaktari i dytë i vdekjeve në botë. Çdo vit në botë vdesin rreth 5 milionë njerëz si pasojë e pirjes së duhanit. Studimet e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, flasin për atë, se nga 5 infarkte, 4 shkaktohen nga pirja e duhanit. /tesheshi.com/