Nis puna për kryerjen e sondazheve gjeologjike në territorin, ku do të ngrihet sistemi mbrojtës në Xhaminë e Plumbit, raporton ATSH.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti duke e cilësuar atë si një “lajm të mirë që vjen nga Shkodra”.
“Specialistë turq e shqiptarë nga DRTK Shkodër kanë nisur punën për kryerjen e sondazheve gjeologjike në territorin, ku do të ngrihet sistemi mbrojtës në Xhaminë e Plumbit”, shkruan gruaja në krye të Kulturës.
Sipas saj, ky proces do të evidentojë morfologjinë e tokës, rezultatet e të cilit do të percaktojnë dhe materialin e duhur për ngritjen e digës, që do parandalojë dhe rrezikun e përmbytjes së objektit.
“Falë marrëveshjes me qeverinë turke do të arrijmë të eliminojmë problemin e hershëm të përmbytjes dhe do të restaurojmë një objekt shumë të rëndësishëm për komunitetin dhe trashëgiminë kulturore”, thekson znj. Margariti.
Xhamia e Plumbit konsiderohet si ndër veprat më monumentale të trashëgimisë fetare në Shkodër e Shqipëri.
Por në vite ka vuajtur nga përmbyjet e shumta. Simbol i rikthimit të besimit islam në Shkodër e Shqipëri, ajo u shndërrua në lajm të përvitshëm për zhytjen në ujë sa herë kishte shira të rrëmbyeshëm në Shkodër. /tesheshi.com/