Gati 6,500 foshnja kanë lindur në Turqinë jugore që nga dy tërmete që tronditën rajonin në fillim të këtij muaji, tha të shtunën ministri turk i Shëndetësisë Fahrettin Koca.
“Gjithsej 6,447 foshnja kanë lindur në rajonin e prekur nga tërmeti që nga dita e parë e fatkeqësisë. Çdo fëmijë i lindur është shpresë,” tha Koca në Qendrën Koordinuese të Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD) në Hatay.
Ai u ka uruar bebeve jetë të bukur dhe të gjatë.
Koca tha se “shërbimet e nevojshme shëndetësore u ofrohen foshnjave dhe nënave të tyre pa ndërprerje”.
Mbi 51,150 pacientë dhe të plagosur u transferuan nga zona e tërmetit në spitalet e qyteteve të tjera, tha Koca. Ai tha gjithashtu se në zonën e fatkeqësisë janë ngritur gjithsej 114 njësi emergjente dhe 25 spitale të lëvizshme.
Numri i të vdekurve nga tërmetet shkatërruese në Turqinë jugore është rritur në 40,642. /tesheshi.com/