Berlini është një qytet i përhumbur nga vetmia, dhe kjo nuk është konkluzë e nxjerrë vetëm nga studimet, por edhe nga përshtypja që lë me të vizituar.
Në kryeqytetin gjerman, i cili është shtëpi e 3,5 milion njerëzve, gjysma e të gjitha familjeve përbëhen nga vetëm një person – dhe të paktën 300 njerëz vdesin në apartamentet e tyre çdo vit pa i parë askush.
Një në dhjetë njerëz që jetojnë në Berlin raportohet se preken nga vetmia, një epidemi shqetësuese veçanërisht për të moshuarit.
Një studim i Universitetit Ruhr Bochum thotë se një në pesë gjermanë mbi 85 vjeç ndjehen të vetmuar.
Ligjvënësit gjermanë kanë vendosur tashmë disa zgjidhje interesante. Në vitin 2017, ata vendosën një linjë të drejtpërdrejtë për të moshuarit e vetmuar që po kalonin pushimet e dimrit vetëm.
Pati edhe një ide për të ndjekur shembullin e Britanisë së Madhe për një Ministri Kombëtare për Vetminë.
Tani, dega në Berlin e partisë CDU po hedhë një hap më tej, duke i sugjeruar parlamentit gjerman një Komisioner Zyrtar për Vetminë.
“Berlini, si një metropol në rritje, duhet të ndërmarrë këtë hap”,”thotë zëdhënësi i CDU, Maik Penn për një transmetues publik gjerman. “Duhet një punonjës me orar të plotë për të koordinuar gjithçka”. Nëse propozimi kalon, Komisionerit do t’i jepej një fond i caktuar për projektet e tij.
Vetmia, kjo epidemi globale
Në vitin 2015 Eurostat zbuloi se 6% e të moshuarve në BE nuk kishin ku të kërkonin ndihmë kur ishte e nevojshme – një kulm që arrin 13% në Itali dhe Luksemburg.
Vlerësimet e Fondacionit të Ri të Ekonomisë treguan se 1.2 milionë britanikë vuanin nga vetmia kronike.
Një në tre të rritur francezë jetojnë vetëm, dhe rreth 12% e popullsisë së vendit jeton pa kontakte shoqërore – qoftë familjare, me miq ose kolegë.
Edhe ato vende nordike që zakonisht kurorëzohen si shoqëritë më të lumtura në botë – Danimarka, Finlanda, Norvegjia, Suedia dhe Islanda – luftojnë me vetminë, veçanërisht në mesin e të rinjve, siç tregon një projekt hulumtues nga Instituti i Kërkimeve në Kopenagen.
Kjo çështje ka potencialin për t’u bërë një krizë e plotë e shëndetit publik – në fund të fundit, studimet tregojnë se të qenit i vetmuar rrit vdekshmërinë po aq sa pirja e duhanit prej 15 copësh në ditë. Kryqi i Kuq madje ka arritur deri në atë pikë sa e quan vetminë e pleqve si “një epidemi të fshehur”. /tesheshi.com/