Tashmë është zyrtare: Jenson Button do të ulet në njëvendëshen e Fernando Alonso-s më 28 maj, në Çmimin e Madh të Monakos.
Ish-kampion bote, britaniku 37-vjeçar u tërhoq nga pilotimi në Formula 1 në fund të sezonit të shkuar, por një kontratë e nënshkruar me McLaren-in vjeshtën e 2016-s parashikon që ai të pilotojë në këtë sezon kurdo që ndonjë prej pilotëve të kësaj skuadre të mos jetë në gjendje të bëjë kështu.
“Nuk mund të mendoja vend më të mirë se Monako për një kthim,” është ajo çka thotë Button.
Ai ka fituar në Monako tetë vite më parë, në 2009-n, dhe pista e kësaj gare, e sajuar në rrugët e qytetit, është një prej të parapëlqyerave prej tij.
Fernando Alonso do të mungojë në Çmimin e Madh të Monakos, pasi do të garojë në Indianapolis 500, gjithashtu shumë e njohur në garat automobilistike.
Edhe pse u ka dhënë fund spekulimeve për një ndërprerje të bashkëpunimit me McLaren-in këtë sezon për shkak të paraqitjes së dobët të njëvendësheve, spanjolli e ka pranuar se nuk do të mungonte në garën e Monakos nëse do të kishte një makinë konkurruese. /tesheshi.com/