Sulmuesi më në formë për momentin në Premier League, e njëherësh edhe golashënuesi më i mirë, me 18 gola, Jamie Vardy u ka dhënë fund spekulimeve me nënshkrimin e kontratës së tij të re me klubin ku luan. Ai do të qëndrojë te Leicester City deri në vitin 2019.
29-vjeçari, befasues dhe i jashtëzakonshëm në këtë sezon, deklaroi për faqen zyrtare të klubit: “Nuk dua të largohem nga Leicester-i. Ky klub më besoi dhe nënshkroi me mua kur unë luaja në kategorinë e tretë. Pata shumë oferta marramendëse në janar, ama futbolli nuk luhet me para, por me pasion.”
Lajmi u dha pas fitores së madhe dje të Leicester City-t ndaj Manchester City-t, një prej skuadrave që pretendon ta fitojë kampionatin anglez.
Kënaqësinë për rinovimin e lojtarit e shprehu dhe tekniku italian Claudio Ranieri, që do të thoshte mes të tjerash: “Jamie është një luftëtar. Ai ka patur një udhëtim të pabesueshëm për të arritur në këtë pikë në karrierën e tij, e vazhdon ta luajë çdo ndeshje si të ishte e fundit.”
“E dua shpirtin e tij, që është një cilësi të cilën e kërkoj mbi gjithçka tjetër te lojtarët e mi. Ai ka treguar se ç’lojtar fantastik është… Jam shumë i lumtur që ai do të qëndrojë me ne për një kohë të gjatë,” ka përfunduar strategu i suksesit të pamenduar të Leicester City-t. /tesheshi.com/