Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi thotë se nuk është i interesuar të jetë pjesë e kabinetit qeveritar, i cili pritet të formohet së shpejti, ku bën pjesë edhe partia e tij.
Ai, ka bërë të ditur se nuk do të jetë ministër i Arsimit, ashtu siç u raportua dhe se në këtë situatë politike, nuk e ka guximin të marrë përgjegjësi të jetë udhëheqës i ndonjë dikasteri qeveritar.
Krasniqi thotë se ka një karrierë politike dhe është në fund të saj, ndaj nuk dëshiron të marrë përgjegjësi, në një qeveri për të cilën nuk e di se si do të jetë fati i saj.
“Situata politike në Kosovë, është goxha e ndërlikuar, e vështirë. Dhe unë personalisht, pasi kam një përvojë të gjatë, nuk e kam guximin në këtë frymë politike, të marrë një përgjegjësi të tillë. Kam një karrierë politike dhe jam në fund të saj, ndaj nuk do të dëshiroja të merrja një përgjegjësi, që nuk e di cili do të jetë fati ndoshta i këtij kabineti qeveritar, i cili po ka vështirësi të konsolidohet”, ka deklaruar Krasniqi në një intervistë për “Kosova Press”.
Ai më tej thotë se tri subjektet më të mëdha politike në vend kanë për zemër më shumë pushtetin se sa shtetin.
“Politika nuk duhej të binte në këtë nivel. Politika është dashur, tri subjektet e mëdha zgjedhore, e kam fjalën PAN, LAA dhe VV të bëjnë një debat përmbajtësor. T’i analizojnë të gjitha rrethanat. T’i shikojnë interesat e vendit dhe të qytetarëve të këtij vendi dhe të marrin vendimin që është më i arsyeshmi. Do të duhej që partitë politike, këto subjektet politike që kanë dalë nga zgjedhjet të shikonin më shumë interesin e institucioneve të shtetit, se sa interesin e pushtetit që do ta merrte një subjekt, apo një tjetër”, ka thënë Krasniqi. /tesheshi.com/