Nga Bashkim Kastrati
Që nga muaji i kaluar trenat e linjës Prishtinë – Pejë dhe Fushë Kosovë – Hani i Elezit nuk janë duke qarkulluar. Kjo për faktin se kompania që menaxhon me hekurudhat “Trainkos” ka mbetur pa para. Kjo kompani në vitet e fundit është subvencionuar nga shteti dhe kriza institucionale, e cila ka pamundësuar rishikimin e buxhetit, ka ndikuar që kompania në fjalë të mos marrë buxhet shtesë.
Duhet cekur se të hyrat e realizuara nga subvencionet dhe grantet në vitin 2016 ishin 2,059,765 euro. Prej të cilave 759,766 euro janë pranuar nga Ministria e Infrastrukturës për mbulimin e shpenzimeve të transportit të udhëtareve sipas Ligjit për Hekurudhat e Kosovës dhe në pajtim me direktivat e BE-së sa i përket ofrimit të shërbimeve të interesit të përgjithshëm. Gjithashtu, 499,999 euro janë të hyra të pranuara nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) për mbulimin e pjesshëm të humbjeve nga transporti i udhëtarëve. Gjatë kësaj periudhe, “Trainkos” kishte pranuar edhe 800,000 euro për investime kapitale të ndara nga MZHE.
Pra kjo kompani as për së afërmi nuk arrin që të mbulojë shpenzimet e saj. Për këtë kompani është raportuar disa herë se ka dyshime për keqmenaxhim, punësim në baza partiake dhe familjare, të cilat kanë bërë që aty të ketë edhe mbipunësim. Aktualisht numri i të punësuarve në fund të vitit 2016 ishte 237 punonjës dhe 6 anëtarë të Bordit të Drejtorëve.
E një përgjigje se përse kjo kompani ka falimentuar dhe nuk ka arritur që të sigurojë financa as për të mbajtur veten, por edhe pse nuk i kanë mjaftuar miliona euro nga buxheti i shtetit, na e jep auditi i përgjithshëm.
Në raportin e auditit theksohet se rishikimi i kontrolleve menaxheriale të zbatuara në sistemin kryesor financiar të “Trainkos” ka nxjerrë në pah se linjat e llogaridhënies dhe komunikimit ishin funksionale përmes takimeve të rregullta dhe raportimit me shkrim. Mirëpo, pavarësisht kësaj, në shumë fusha kontrollet e brendshme nuk janë aplikuar në mënyre efektive dhe nuk kanë arritur t’i parandalojnë gabimet gjatë vitit.
“Me theks të veçantë, kontrollet ishin jo efektive për zbatimin e rekomandimeve nga auditimi i vitit paraprak, menaxhimin e llogarive të arkëtueshme, llogarive të pagueshme, pasurive jo qarkulluese, stoqet, realizimin e të hyrave, realizimin e shpenzimeve, menaxhimin e burimeve njerëzore, ekzekutimin e pagesave pa certifikim, kategorizim jo të duhur të shpenzimeve dhe vonesa në ekzekutimin e pagesave”, thuhet në raportin e auditit.
Sipas auditit, mos aplikimi i kontrolleve në mënyre efektive ka reduktuar efektivitetin e menaxhimit financiar brenda “Trainkos” dhe se kjo gjithashtu mund të rezultojë me të dhëna jo të sakta financiare.
Gjatë testimit të llogarive të pagueshme auditi ka vërejtur mangësitë në vijim: mospërputhje në mes shënimeve kontabël dhe letër konfirmimeve nga furnitorët. Në dy letër konfirmime të pranuara nga furnitorët janë vërejtur mospërputhje me shënimet kontabël. Në një rast shuma e borxhit e konfirmuar nga furnitori është zero euro, ndërsa në shënimet kontabël vlera e borxhit ndaj këtij furnitori është 3,171 euro. Ndërsa në rastin tjetër furnitori ka konfirmuar vlerën 4,534 euro, ndërsa në shënimet kontabël kjo vlerë është 5,030 euro. Kjo ka ndodhur si pasoje e regjistrimeve jo të sakta dhe mos harmonizimeve me furnitorët dhe llogari të pagueshme me vlera negative. Në shënimet kontabël figurojnë 10 furnitorë borxhi i të cilëve është i regjistruar me vlera negative, në total prej 19,660 euro. Auditi thekson se kjo ka ndodhur si pasoje e regjistrimeve jo të sakta.
Ja pse “Trainkos” ka operuar me humbje
Auditi thekson se gjatë periudhës raportuese (2016) ndërmarrja “Trainkos” ka operuar me humbje në vlerë prej 1,186,710 euro. Në këtë rezultat financiar, si dhe në veprimtarinë e ndërmarrjes në tërësi, ndikim të rëndësishëm kishin disa arsye, e që më të rëndësishmet janë:
transporti i mallrave si aktiviteti më i rëndësishëm i kompanisë këtë vit kishte rënie të vazhdueshme, mos mbulimi i tërësishëm i humbjeve nga transporti i udhëtarëve për linjat e aprovuara nga Ministria e Infrastrukturës për vitin 2016, dhe gjendja e mjeteve lëvizëse të vjetruara.
“Duke pasur parasysh trajtimet e më sipërme, gjendja e tanishme, pa një bazë reale për të gjetur një zgjidhje adekuate në kapërcimin e saj dhe në rritjen e aktiviteteve dërgon në një situatë ku vihet në rrezik vijimësia e ndërmarrjes. Kryesuesi i Bordit dhe Kryeshefi Ekzekutiv, duhet të hartojnë një plan strategjik të qëndrueshmërisë dhe të përmirësimit të biznesit i cili duhet të jetë i detyrueshëm në praktikë”, thuhet në raport.
“Trainkos” nuk mban regjistër për faturat e pa paguara
Auditi ka ardhur në përfundim se proceset e dobëta të planifikimit duke mos i marrë në konsiderate edhe shkaqet të cilat mund të ndodhin gjatë vitit rrezikon që kompania të mos arrijë objektivat dhe të mos arrijë t’i mbulojë shpenzimet duke rritur obligimet ndaj furnitorëve.
Auditi ka gjetur se në bazë të kontratës për transportin e mallrave të lidhur mes “Trainkos” dhe klientit, në rast të vonesës së pagesës të faturës, nga data e pranimit brenda një periudhe prej 20 ditësh pason ndëshkimi me interes prej 0.05% në vlerën e borxhit të përgjithshëm në ditë.
Në tri raste nuk ishin aplikuar ndëshkime me rastin e vonesave të pagesës së faturës nga ana e klientit. Kjo për shkak se ndërmarrja nuk mbanë ndonjë regjistër për të identifikuar faturat e pa paguara dhe ato të paguara. Gjithashtu, për shkak se “Trainkos” nuk kishte bërë regjistrimin e të hyrave me kohë.
“Regjistrimi jo në kohë i faturave si dhe mos evidentimi i pagesës së secilës fature, shkakton vështirësi në identifikimin e faturave në të cilat duhet aplikuar ndëshkimet. Mos aplikimi i ndëshkimeve ndikon në ngadalësimin e arkëtimit të të hyrave dhe rritjen e llogarive të farkëtueshme”, tërheq vërejtjen auditi.
15 punëtorë u angazhuan pa konkurs
Auditi ka gjetur se gjatë vitit 2016, ndërmarrja kishte angazhuar 15 punonjës për punë dhe detyra specifike, mirëpo këta punonjës mbulonin pozitat e rregullta të punës dhe për të cilët nuk kishte zhvilluar procedura të rekrutimit.
Duhet theksuar se sipas Ligjit të Punës (neni 8), Punëdhënësi në sektorin publik, është i obliguar që të shpall konkurs publik sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie të punës.
“Gjatë procesit të rekrutimit për pozitën Agjent i Marketingut, kandidatët të cilët i janë nënshtruar intervistës nuk janë trajtuar në mënyrë të barabartë. Kjo për shkak se pyetjet e intervistës nuk ishin të aprovuara paraprakisht dhe të unifikuara për të gjithë kandidatët, mirëpo komisioni kishte aplikuar pyetje krejtësisht të ndryshme për secilin kandidatë”, është e gjetura e radhës sa i përket rekrutimit.
Sipas Udhëzimit për Marrëdhënien e Punës (neni 5), kandidatët e përzgjedhur duhet të ftohen me shkrim së paku 48 orë para testimit. Por auditi ka gjetur se në tri procese të rekrutimit aplikantët nuk ishin ftuar me shkrim për t’iu nënshtruar testit, me ç ‘rast disa nga aplikantët përkundër faktit që kanë plotësuar të gjitha kriteret për të marr pjesë në test, nuk kishin qenë pjesëmarrës në test. Sipas zyrtarit të burimeve njerëzore, të gjithë aplikantët ishin ftuar përmes telefonit.
E gjetura tjetër tregon se në tri raste në vlerë prej 5,783 euro, kërkesat për udhëtime zyrtare nuk ishin mbështetur me dëshmi përkatëse, si agjenda ose ftesa zyrtare. Auditi tërheq vërejtjen se shpenzimi i mjeteve për udhëtime zyrtare pa dëshmi përkatëse, rrezikon që këto mjete të mos jenë shfrytëzuar për qëllime zyrtare, duke krijuar shpenzime të parasë, pa bazë ligjore.
Në raport theksohet se Kryesuesi i Bordit ka marrë në konsideratë dhe është pajtuar me të gjeturat e detajuara dhe konkluzionet e auditimit, si dhe është zotuar se do t’i adresojë rekomandimet e dhëna. /tesheshi.com/