Nga Bekim Laci
Zhvillimet e fundit në Maqedoni, kanë bërë që sektori i biznesit të alarmojë për reflektimin e krizës politike në ekonominë e vendit.
Asociacioni për hulumtim ekonomik, “Finance Think” prognozon rënie të zhvillimit ekonomik nga 4,1 në 3,4 %, ndërsa incidenti i fundit në Kumanovë sipas kësaj organizate, ka dërguar sinjal të keq te investitorët vendorë dhe të jashtëm, një pjesë e të cilëve kanë konfirmuar se janë duke rishqyrtuar vendimet për investime në Maqedoni.
Në dy muajt e parë të këtij viti, atëherë kur kriza politike u intensifikua, investimet e huaja në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar shënuan rrënie për 26.7 për qind, ndërkohë, Banka Popullore doli me të dhëna se vlera e kapitalit të huaj në janar dhe shkurt ishte rreth 47 milionë euro, nga 64 milion sa kishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të dhënat e lartpërmendura, kanë bërë ekspertët të parashtrojnë dilemën se vallë kriza do të hamend investitorët e huaj.
Drejtori i zonës së lirë ekonomike në Tetovë, Arben Halili, për portalin tesheshi.com, thotë se stabiliteti politik padyshim se paraqet elementin thelbësor i cili merret në konsideratë gjatë vendimmarjes për të investuar, pavarësisht nëse kemi të bëjmë me investitorë vendorë ose të huaj: “Ajo që në muajin shkurt kemi vetëm 12 milion euro investime, edhe mund të shihet si pasojë e një brishtësie politike, por besoj se nuk mund t`i atribuohet direkt jostabilitetit politik në Maqedoni, sepse është pikërisht periudha kur filloi ky jostabilitet. Nga ana tjetër. është vetëmse fillimi i kuartalit të parë dhe sigurisht se bizneset, planet e tyre për investime i planifikojnë për një periudhë më afatgjatë, por megjithatë, krahasuar me vitet e kaluara, vlerësoj se paqëndrueshmëria politike do ketë efekte negative edhe në sferën e investimeve kapitale” , thotë Halili.
Bashkësia e biznesit, që në vete ngërthen odat ekonomike, akuzon politikën se me veprimet e saja po dëmton rëndë shtetin, respektivisht ekonominë e saj. Së fundmi, ka inicuar propozim-masa konkrete të cilat do t`i dorëzohen qeverisë javën e ardhshme, ndërsa kanë të bëjnë me situatën e keqe politike dhe impaktin mbi ekonominë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Menderez Kuçi, deklaroi se nuk do të ketë investime përderisa qëndrojmë në vend dhe mendojmë se jemi qendra e botës me qëndrime të politikanëve të cilët mendojnë se ka kohë për marrëveshje: “Koha është të gjithë të bashkohemi dhe t’ia duam të mirën vendit, por jo vetëm deklarativisht”, tha Kuçi sipas të cilit investimet po anulohen, turizmi është gjunjëzuar, ndërsa për shkak të krizës politike, një pjesë e mërgimtarëve nuk do të kthehen në atdhe, sikurse vitet e kaluara nga të cilët shteti mbushte një pjesë të buxhetit. /tesheshi.com/