Liderët e katër partive më të mëdha politike, Nikolla Gruevski, Zoran Zaev, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, do të ulen sot në tryezën e bisedimeve si vazhdimësi e takimit të cilin dy të parët e zhvilluan në Strazburg, për çka pritet që Gruevski dhe Zaev të njoftojnë dyshen Ahmeti-Thaçi për detajet nga takimi maratonik në Parlamentin Evropian; respektivisht, të informojnë për draft-versionin për dalje nga kriza politike të cilin e propozuan eurodeputetët me mbështetje të eurokomesarit, Johanes Han.
Mbrëmë, lideri opozitar Zoran Zaev, pjesëmarjen e tij në takim e kushtëzoi me lejimin e të gjithë gazetarëve që të hyjnë në ndërtesën ku do të mbahen bisedimet: “Unë nuk filloj negociatat dhe bisedimet përderisa asistentët e mi që do të jenë me mua nuk më japin sinjal se të gjithë gazetarët kanë hyrë brenda. Politikanët duhet të lejojnë pyetje dhe duhet t’u përgjigjen atyre”, deklaroi Zaev.
Siç mësohet, tema kryesore e takimit do të jetë definimi se çfarë qeverie do të organizojë zgjedhje të jashtëzakonshme dhe kur do të mbahen ato, pasi LSDM vazhdon të insistojë për qeveri kalimtare pa kryeministrin aktual Gruevski, gjë të cilën ky i fundit e refuzon kategorikisht.
Burime diplomatike njoftojnë se propozimi i BE-së është shumë i afërt me atë të cilin e dha Ali Ahmeti në takimin e fundit: Rikompozim i qeverisë në të cilin do të futeshin katër partitë më të mëdha, ndërsa LSDM-së do t`i takonin 4 ministri, por që Gruevski të mbetet kryeministër.
Nga ana tjetër, zyrtarë të partisë shqiptare në pushtet dhe asaj në opozitë, bëjnë të ditur se përveç këtyre çështjeve, në tavolinën e bisedimeve do të shpalosen edhe të ashtuquajturat kërkesa strategjike të shqiptarëve, për të cilën gjë ditë më parë apeloi Menduh Thaçi, i cili publikisht i ofroi bashkëpunim politik Ali Ahmetit. Ky i fundit, mirëpriti idenë e bashkëpunimit ndërpolitik si çështje thelbësore për BDI-në.
Edhe takimi i sotëm do të ndërmjetësohet nga ambasadori amerikan, Jess Baily dhe euro-ambasadori, Aivo Orav, por pa përfaqësues të Brukselit zyrtar, përkundër paralajmërimeve që u dhanë më herët.
BE, mbetet në qëndrimin e mëhershëm se “Maqedonia po përballët me krizë të thellë politike dhe sfida serioze të sigurisë të cilat do të lëkundnin themelet e secilit sistem politik në Evropë”. /tesheshi.com/