Shteti shqiptar ka marrë masa të rrepta si asnjëherë më parë ditën e sotme dhe do të vijojë edhe ditën në vijim, sa i takon ardhje së izraelitëve në Shqipëri, për ndeshjen e futbollit, e cila do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena”.
Policia njofton marrjen e masave të sigurisë duke bllokuar nga ora 17:30 deri në orën 18:30 rrugët nga Aeroporti i Rinasit, deri në Qafë-Kashar, më tej deri në Mbikalimin e Kamzës, Sheshin Shqiponja, Rrugën Dritan Hoxha, Sheshin Skënderbej, atë Çamëria dhe Rrugën 29 Nëntori.
Masat merren për të garantuar sigurinë e skuadrës izraelite, që zbret këtë të enjte në Tiranë.
Shoqërimi dhe ruajtja e tyre i është ngarkuar forcave speciale RENEA, ndërsa në gatishmëri do të jenë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.
Ditën e ndeshjes do të ushtrohen disa kontrolle për të mos lejuar futjen e fishekzjarrëve, banderolave dhe sendeve të tjera të paligjshme. Pallatet pranë stadiumit priten të boshatisen gjatë zhvillimit të takimit, ndërsa të gjitha lokalet rreth tij do të mbyllen. Sipas burimeve nga policia niveli i masave të sigurisë për këtë ndeshje i kalon edhe ato të marra për ndeshjen ndaj Serbisë./tesheshi.com/