Shtatë vitet e qëndrimit të Alvaro Arbeloa-s te Reali i Madridit morën fund zyrtarisht në fillim të këtij muaji, edhe pse divorci mes 33-vjeçarit dhe klubit ishte bërë i ditur prej kohësh.
Mbrojtësi u aktivizua fare pak në sezonin e kaluar, duke mos qenë i parapëlqyer për drejtuesit teknikë të skuadrës.
Destinacioni i tij i ri pritet të jetë skuadra e Milanit, siç bën të ditur Marca spanjolle. Klubi italian ka arritur një marrëveshje me lojtarin, tanimë një agjent i lirë.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, dhe përfaqësuesi i lojtarit, Oscar Ribot, patën të dielën një bisedë telefonike, duke e konfirmuar marrëveshjen.
Ish-lojtarit të kombëtares spanjolle i është ofruar një kontratë njëvjeçare, me mundësinë për ta zgjatur atë për një sezon tjetër. Ai mendohet të luajë në qendër të mbrojtjes, edhe pse pjesën më të madhe të karrierës së tij e ka kaluar si mbrojtës i djathtë.
Arbeloa është aktivizuar gjithashtu dhe me Deportivo La Korunjën e Liverpulin përpara se të kalonte në vitin 2009 te Reali i Madridit. /tesheshi.com/