Janë mbi njëqind vila që e kanë betonizuar fshatin turistik “Prevallë”, shumica prej tyre prona të politikanëve kosovarë. Vitin e kaluar pat filluar aksioni për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje, por asnjë pronë e “të fortëve” nuk ishte prekur. Në Ministrinë e Mjedisit nuk duan të prononcohen, ndërsa shoqëria civile dhe pushteti lokal në Prizren thonë se shteti po iu frikësohet politikanëve, pra pronarëve të tyre…
Nga Zekirja Shabani
Prishtinë – Rreth 120 vila luksoze që janë ngritur pa leje ndërtimi në fshatin turistik ‘Prevallë’, do të duhej të rrënoheshin nga Qeveria e Kosovës; përkatësisht Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, por gjasat se kjo do të ndodhë, tash për tash duken të pakta. Asnjërës nga ato nuk i është prekur qoftë dhe një tullë, sepse thuhet që u përkasin politikanëve kosovarë, ku disa figurojnë me emrat e tyre.
As në fletët poseduese, nuk është qartë e definuar pronësia e këtyre objekteve turistike. ‘Muhamet Dervishaj dhe të tjerë’, shkruhet në njërën nga dëshmitë e pronësisë së një vile, të cilën e ka parë portali reporteri i portalit TeSheshi.
Pronarët e objekteve që shfrytëzohen si shtëpi pushimi në këtë pjesë turistike të Kosovës janë të panjohur, por shumë të fuqishëm, aq të fuqishëm sa për t’i ndalur ekskavatorët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që t`i rrënojnë ato.
Ndërkaq, është sekret publik të thuhet se në këtë zonë malore kanë ndërtuar vila tërësisht në kundërshtim me ligjet në fuqi, pothuajse të gjithë politikanët kosovar – të pozitës dhe opozitës.
Këto 123 shtëpi pushimi janë të ndërtuar që nga viti 2009. Rekordin me numrin më të madh të tyre e mbanë Ekrem Hyseni dhe Hasan Kabashi me nga 9 të tilla. Ndërsa ish – kryetari i Prizrenit, Eqrem Kryeziu, në kohën e të cilit u ndërtua ky fshat, ka një vilë në B1b me numër të lejes së ndërtimit 04/4- 351-184.
Vitin e kaluar, ish-ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Dardan Gashi, pat filluar një aksion për rrënimin e të gjitha objekteve pa leje në këtë fshat turistik.
Aksioni i tij pat rrënuar vilat e disa qytetarëve “të dobët”, por jo edhe ato të komunitetit të politikës. Sidoqoftë, kjo nismë ka mbetur në gjysmë.
Portali TeSheshi është përpjekur të premten të marrë qëndrimin e ministrit të ri të Mjedisit, Ferid Agani, por ai nuk iu është përgjigjur pyetjes nëse do të vazhdojë aty ku ka mbetur puna me ndërtimet pa leje.
Ndërkaq, Hajrulla Çeku nga organizata ‘Ec ma ndryshe’, thotë se edhe ajo pak punë e mirë që u realizua nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka mbetur nën hijen e lënies në gjysmë.
“Ky është edhe një rast tipik i mosinteresimit dhe paaftësisë së institucioneve për të vendosur rend e ligj në këtë zonë”, thekson Çeku.
Sipas tij, institucionet po u frikësohen “të fortëve” që t’ua rrënojnë vilat.
“Për fat të keq, nga aksionet në Prevallë kanë pësuar “të dobëtit”, ndërsa shkaktarët kryesorë të degradimit mbeten të paprekur”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër, anëtari i Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor, Adem Salihaj, ka thotë se është bërë shumë zhurmë rreth ndërtime pa leje në Prevallë, dhe se janë rrënuar vetëm disa kasolle të personave të varfër, të cilët, siç thotë ai, janë munduar ta improvizojnë një lloj strehimi për të qëndruar në Prevallë për arsye shëndetësore, ngase klima në këtë zonë ka efekte shumë pozitive për ripërtritjen e vitalitetit të organizmit.
“Por siç dihet, ky aksion ka ngecur kur ka ardhur çështja te rrënimi i vilave luksoze të bosëve të pushtetit. E vetmja gjë që mund t’iu premtoi është se këtë çështje mund ta adresoj në Komisionin për Bujqësi dhe Planifikim Hapësinor. Unë shpresoj se Komisioni do të merret seriozisht me këtë çështje. Se a do të ketë forcë ministri i tashëm Ferid Agani ta çojë deri në fund këtë aksion, unë thjesht nuk mund ta di tash për tash, por ai do ta ketë rastin të sprovohet në këtë çështje”, thotë deputeti Salihaj për portalin TeSheshi.
Se në këtë pjesë dominon fuqia e pushtetarëve pati konfirmuar edhe ish ministri Dardan Gashi, i cili pat thënë se në këtë fshat kanë ndërtuar njerëz nga estrada, politika dhe biznesmenë, por që pronat i kanë në emër të dikujt tjetër.
Ministri i atëhershëm, ia pat hedhë fajin kryesor Komunës së Prizrenit, e cila sipas tij, për 8 vite pat lejuar që të ndërtohet kundërligjshëm dhe pat krijuar kaos urbanistik në Prevallë. Për këtë arsye edhe pati nisur procedurë penale ndaj Komunës së Prizrenit.
Po ashtu, inspektori i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka ngritur padi ndaj zyrtarëve komunalë të Prizrenit për lejimin e kaosit nga ndërtimet në këtë zonë turistike.
Kryeprokurori në Prokurorinë Themelore në Prizren, Sylë Hoxhaj, ka konfirmuar se gjatë aksionit për rrënim vitin e kaluar për fshatin turistik Prevallë, nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor janë dërguar njëzet kallëzime penale. Prej tyre janë ngritur katër aktakuza.
Si arsyetim për mos marrjen e masave ndaj keqbërësve dhe lejimin e kaosit në Prevallë, Sadik Paçarizi, drejtor i Drejtoratit për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit pati thënë se inspektorët nuk kanë guxuar t’i rrënojnë ndërtimet pa leje në Prevallë, sepse kanë pasur frikë nga personat e fuqishëm të politikës, biznesit dhe estradës, dhe se janë penguar nga Prishtina.
“Mbi 80% të banuesve janë nga Prishtina dhe vetëm 20% janë banorë të Prizrenit. Lehtë mund të shihet se kush janë banorë të vilave të parrënuara në Prevallë. Ministria i ka rrënuar vetëm ato të fukarenjve, ndërsa brenda, ku j
etojnë të fortit, ndonëse me tejkalime, ato janë në këmbë. Aty shihet forca e ministrit”, pati deklaruar Paçarizi./TeSheshi/