Nga Zekirja Shabani
Veç politikanëve, Kosovën e pasluftës e kanë gëzuar më së shumti…ata që luftuan për të, mund të thotë dikush, por jo: e kanë gëzuar këngëtarët, biles ata të tallavasë, një lloj muzike e përçmuar nga kategoria e njerëzve që e konsiderojnë veten të fisëm në shije. Por problemi nuk qëndron tek lloji i muzikës, sesa tek fakti që një popull i dalë nga lufta, i është dhënë me aq afsh tallavasë, sa ka bërë milionerë individë që ndoshta nuk njohin as notat. Fakti që mes tyre ka dhe shpirtmëdhenj që janë dorëlëshuar për të varfërit, nuk e përligj dot që milionat e një populli që ka nevojë për ringritje shpirtërore, morale, e padyshim ekonomike, të shkojnë për…tallava!
Sikurse politikanët, ashtu edhe një pjesë e madhe e këngëtarëve janë pasuruar brenda një periudhe të shkurtër në Kosovë. Por për dallim nga politikanët, që deklarojnë një pjesë të pasurisë, këngëtarët hezitojnë të flasin për të ardhurat e tyre. Madje as me shtetin nuk janë korrekt në pagesat e tatimeve.
Muzika nuk është vetëm art, por edhe biznes goxha i mirë. Këtë e dinë më së miri këngëtari, Mehedin Përgjeqaj, Meda e Labinot Tahiri. Të dy janë të rinj në këtë zanat, por thuhet se kanë fituar milionat nga muzika që bëjnë. Atyre ua kalon vetëm Gjyste Vulaj, kur është në pyetje pasuria.
Lloji i muzikës që këta bëjnë shpesh kritikohet nga qytetarët dhe kolegët e tyre të zhanreve të ndryshme. Por, në bazë të statistikave të dëgjueshmërisë, ata prijnë jo vetëm me fitime por edhe me dëgjueshmëri.
Në përgjithësi, falë çmimeve të larta nëpër koncerte e mbrëmje të ndryshme muzikore, këngëtarët po përfitojnë bukur shumë dhe vlera e pasurisë së tyre kap me miliona euro.
Por, pavarësisht se ndajnë këngët me publikun, shumica e tyre ngurrojnë t`i ndajnë edhe informacionet për të ardhurat e tyre.
Madje ata nuk deklarojnë të ardhura të sakta as në Administratën Tatimore të Kosovës.
Ndër të paktë që flet hapur është këngëtari Mehedin Përgjeçaj i njohur si Meda. Me të ardhurat nga muzika, ai përveç shtëpisë në Hajvali, ka arritur të krijojë pasuri edhe jashtë shtetit. Ai ka një shtëpi dhe një restorant në Gjermani.
Përveç kësaj, ai është edhe mjaft bamirës.Para disa viteve Meda ka ndërtuar 4 shtëpi për familjet skamnore, përderisa ende vazhdon të mbajë disa familje.
“Nuk mund ta fshehë pasurinë kur të gjithë e dinë. Unë nuk e mohoj këtë pasuri që e kam për të cilën i falënderohem Zotit i cili më ka dhuruar një zë për ta fituar me djersë paranë. Por edhe këtë që e fitoj preferoj ta ndaj me të tjerët”, thotë ai për median.
Meda së fundi është edhe pronar i klubit futbollistik, Hajvalia.
Ngashëm edhe Labinot Tahiri, ka krijuar goxha pasuri nga muzika. Ai është pronar i klubit “Icons”, në Ferizaj, ndërsa të hyrat mesatare për një mbrëmje muzikore i ka rreth 4000 euro.
Këngëtarja nga Ulqini, Gjyste Vulaj, tregon se jo të gjitha përfitimet i ka nga muzika, por këtij profesioni ia ka parë hajrin mirë.
“Unë nuk varem nga muzika sepse kam biznes edhe në Mal të Zi dhe në Gjermani. Por kam fituar shumë me muzikë, kam fituar pasuri të madhe”, thotë Vulaj,
Ajo tregon se është dorëshlirë dhe shpesh jep nga pasuria e saj për të varfërit.
“Ndihmoj shpesh në shumë raste por si bëj publike, ndihmoj me zemër dhe kënaqem njëkohësisht sepse Zoti mi dha mua, nuk më tha mos jep kuj tjetër, por një përqindje e ndaj nga çdo shfaqje, më shumë për të sëmurët”, thotë ajo.
Ajo tregon se ka toka me sipërfaqe të madhe në plazh të vogël dhe në plazh të madh të Ulqinit. “Po ashtu në lumin Buna kam edhe shtëpizë ëikendi prej druri. Në Tuz kam shtëpinë 2 kate, tokë sa të duash. Po ashtu kam edhe audio-studio për incizim ‘Prosound Rozana’ qe 20 vjet. Ndërkaq një pasuri tjetër e kam edhe në Gjermani, një shtëpi trekatëshe me një oborr të madh. Kam një hotel, dhe një restorant në Gjermani”, ka treguar ajo.
Kompozitorët dhe menaxherët e produksioneve muzikore, hezitojnë të flasin për tregun e muzikës në Kosovë. Madje ata injorojnë bisedat për tallavanë.
Megjithatë, kompozitori Andin Randobrava vlerëson se muzika që bëjnë Meda, Labi e Gjyste Vulaj, është më profitabilja tani për tani në vend. Megjithatë ai nuk dëshiron të lëshohet në detaje për këtë lloj muzike.
“Se sa është profitabile muzika tallava, ndoshta më mirë do t’ua thoshin ata që merren më këtë lloj të muzikës. Ndoshta më mirë do të ishte t’i pyesni ata, pasi unë nuk merrem me tallava. Unë nuk këndoj ende nëpër mbrëmje në vend apo jasht vendit, sic këndojnë edhe të tjerët që nuk këndojnë tallava. Por, në bazë të informatave që unë kam, më së shumti fitohet nga tallavaja. Pra, më së shumti fitohet nga ky lloj i muzikës”, thotë Randobrava.
Përndryshe, ai thotë se është kundër asnjë lloji të muzikës.
“Muzika është muzikë kurse çështja e vlerave nuk varet nga populli por nga pushteti. Si e kemi pushtetin, ashtu e kemi edhe tregun e muzikës. Këto gjëra reflektojnë dhe janë të lidhura njëra me tjetrën”, shprehet kompozitori Randobrava.
Lista e këngëtarëve dhe çmimet e tyre
Labinot Tahiri-Labi, deri në 6 500 euro
Remzie dhe Nexhat Osmani, 4 000 euro
Shyhrete Behluli, 3 500 euro
Mahmut Ferati, 3 500 euro
Meda, 3 500 euro
Aziz Murati, 3 000 euro
Pandora, 2 000 euro
Loreta Kaçka-Lori, 2 000 euro
Motrat Mustafa, 2 000 euro
Adnan Daci me orkestër, 1 800 euro
Meda, i pasur por edhe bamirës
Ndër këngëtarët e pasur është dhe Shkëlzen Jetishi, i cili ka një restorant modern në Gjakovë. “Xeni Imperial” një restorant i ndërtuar me një stil modern, por që këngëtari në të ardhmen planifikon ta bëjë hotel.
“Restorantin e kam ndërtuar kohëve të fundit, kam investuar shumë në të dhe të them të drejtën ende jam duke paguar kredinë. Restoranti është mjaft modern dhe mendoj ta bëjë edhe hotel”, thotë Xeni. Pasuri tjetër e Xenit është edhe vila në Brezovicë të cilën e posedon tani e 3 vjet.
Ngurojnë të tregojnë për pasuritë e tyre
Këngëtari Ardian Gaxha ka një vilë në vlerë prej 1 milion eurosh, bashkë edhe me një studio që këngëtarit i ka kushtuar rreth 50 mijë euro. Mirëpo këngëtari nuk ka preferuar të flas për pasurinë e tij. Dy motrat Mustafa rankohen në këngëtarët e pasura, ato tani e disa vjet kanë hotelin “Estrada”. Janë disa emra të njohur të skenës muzikore që kanë biznese të vogla, por disa prej tyre nuk i bëjnë publike.
Këngëtarja Rovena Stefa përveç produksonit të saj “Te Rovi” të cilin e ka hapur në Kosovë, ka edhe një restorant në Durrës. Këngëtari Labinot Tahiri cilësohet si një këngëtar që fiton bukur shumë nga profesioni i tij i këngës. Ai në Ferizaj tani e disa vjet ka pub-in “Buzzbar” për të cilën thotë se ndjehet i kënaqur për faktin se aty mund të takohet edhe me adhuruesit e tij. Këngëtarja Gili tani e disa muaj ka hapur sallonin e ondulimit “Prishtina”.
Këngëtarja Linda Halimi e cila punon dhe vepron në Amerikë, gjatë vitit të kaluar nisi biznesin e saj të ri duke hapur disa qendra dobësimi në disa qytete të Kosovës. Estrada jonë ka edhe shumë pasanikë të tjerë, emrat e të cilëve ata nuk deshën t’i bëjmë publike. /tesheshi.com/