Mauro Morandi ka qenë i vetmi banor i një ishulli të bukur në Mesdhe për më shumë se 30 vjet.
Ai shpresonte se do të ishte shtëpia e tij për pjesën tjetër të jetës së tij, por tani është në rrezik. Ai përballet me ikjen me pahir nga ishulli Budelli, në brigjet e Sardenjës, nëse nuk largohet me hir. Por nuk ka ndërmend ta bëjë këtë.
Autoritetet lokale po përshpejtojnë planet për të riformuar “kasollen” e tij dhe ta shndërrojnë atë në një qendër të vëzhgimit mjedisor, duke i dhënë fund qëndrimit të tij të lumtur, shkruan CNN Travel.
Morandi, një ish-mësues, mbërriti në ishull rastësisht ndërsa përpiqej të lundronte nga Italia në Polinezia 31 vjet më parë. Ai ra në dashuri me ujin e kristaltë të pastër, natyrën e paprekur, rërën e koraleve dhe perëndimin e bukur të diellit – dhe vendosi të qëndrojë aty.
Në moshën 81 vjeç, është akoma atje dhe i gatshëm të luftojë për shtëpinë e tij.
“Unë jam i gatshëm të bëj gjithçka mundem për të qëndruar këtu, edhe nëse do duan të më tërheqin zvarrë. Unë nuk do të di se ku tjetër të jetoj, sigurisht që nuk do të shkoj në shtëpi në veri. Unë as nuk di se çfarë të bëj – kjo është jeta ime. Unë thjesht nuk e shoh veten duke luajtur letra”, i tha Morandi CNN Travel.
Morandi, i cili gëzoi një shtëpi të sigurt dhe të izoluar gjatë krizës italiane me COVID-19, beson se autoritetet do t’i japin atij një njoftim dëbimi pasi të mbarojë vera.
“E gjitha çfarë kërkoj është, nëse ata duhet të më dërgojnë jashtë ishullit gjatë restaurimit të tij, që unë mund të kthehem dhe të vazhdoj të bëj atë që bëj çdo ditë: ruajtjen e plazhit të koralit rozë të rrezikuar, mbajtjen e turistëve larg, mbrojtjen e natyrës. Kam frikë se nëse largohem, ky do të ketë dhe fundi i Budellit,” tha ai, duke shtuar se ai ishte i vetmi që kujdesej për ishullin.
Për këtë qëllim, u lançua një peticion në internet që mblodhi më shumë se 2,600 mbështetës në të gjithë botën në vetëm disa ditë.
Ishulli ka ndryshuar pronësinë disa herë në vitet e fundit.
Budelli është në pronësi të Parkut Kombëtar La Maddalena që nga 2015, duke e bërë të vjetëruar rolin e Morandit.
Autoritetet thonë se ata thjesht respektojnë ligjin.
“Prioriteti ynë është të ndërhyjmë kundër të gjitha ndërtesave të paligjshme brenda parkut, përfshirë dhe kasollen e Mauros, një ish-radiostacion i Luftës së Dytë Botërore që ka pësuar modifikime të padenja. Ne duhet të japim një shembull, të mbrojmë mjedisin tonë dhe pastaj të vazhdojmë më tej. Një projekt i ri që ka të ngjarë të jetë një qendër shkencore për përhapjen e vetëdijes mjedisore,” tha Presidenti i Parkut La Maddalena, Fabrizio Fonnesu.
Ishulli është një parajsë pa ndotje me ujëra të kthjellëta bruz, bimësi të egër të harlisur, shkëmbinj vjollcë që ngjasojnë me skulptura natyrore dhe ajër të shëndetshëm.
Morandi ka frikë se Budelli do të përjetojë fatin e ishullit simotër Spargia, ku u krijua një qendër vëzhgimi në të kaluarën, për t’u pushtuar më vonë nga vizitorët.
Ai as nuk dëshiron të mendojë se çfarë do të ndodhë me të dhe ku do të jetë shtëpia e tij.
“Unë nuk kam shtëpi dhe duhet të gjendet këtu, në Sardenjë, diku më të lirë se arkipelagu i La Maddalena, ku çmimet janë shumë të larta. Sardenja është vendi im. Natyra është akoma e gjallë, e egër, piktoreske këtu. Unë kam nevojë për kontakt me natyrën”, theksoi Morandi.
Budelli është një nga ishujt më të bukur në tërë Mesdheun. /tesheshi.com/