Prej mbrëmë, Shqipëria ka president Ilir Metën, një prej politikanëe më të zëshëm të 26 viteve pluralizëm, ardhur në krye të shtetit me një normalitet karriere, por nga ana tjetër duke shënuar një atentat moral na amoralitetin e përgjithshëm të politikës shqiptare, që është njëherësh dhe rrezatim i atij të shoqërisë.
Meta, kap Presidencën ndërkohë që partia e tij, një forcë tipike klienteliste, ka rënë në opozitë pas 8 vitesh bashkëqeverisje me dy partitë e mëdha.
Dhe për të kuptuar më mirë personalitetin politik të Ilir Metës, mjaft të hedhësh një vështrim të shkurtër tek forca e tij politike që themeloi, drejtoi dhe që po e trashëgon nëpërmjet familjes, me zgjedhjen e së shoqes-kryetare.
Pas 8 vitesh me gati gjysmën e shtetit nën sqetull, ministri, institucione, drejtori, së fundi dhe katër bashki, LSI nuk është në gjendje që të promovojë një model të saj si të sukseshëm, përfaqsuar nominalisht me ndonjë emër të përveçëm drejtuesi. Ajo nuk është në gjendje që të thotë se aksh person, duke drejtuar këtë institucion arriti të sjellë këtë risi, të funksionojë me këtë standart moral, të japë këto rezultate.
Aspak! Narrativa e saj politike është më së shumti boshe, mballomatike, skematike deri në parazitizëm, e thatë, dogmatike, dhe ç’është më e keqja inatçore në raste të veçanta, aherë kur ia cenojnë pushtetin, duke iu përgjigjur kështu me besnikëri xanxës që iu vuri Nano këtu e vite më parë si Lëvizja e Skraparllinjve të Inatosur.
U pa kjo qartë sapo Rama vendosi të dalë i vetëm në zgjedhje me kredon e “timonit”. Gjuha e saj opozitare ndaj ish-aletatit 4-vjeçar me theks të fortë inatçor, ku në krye, pas asnjë lloj vetëpërmbatjeje etike ishte vetë Meta me një humbje dramatike të “qetësisë dhe dashurisë”, ishte një përgënjeshtrim i fortë moral i kauzave të saj.
Po aq sa PS e Rama, ishte dhe LSI e Meta që duhet të jepnin llogari për gjithë sa shkoi sëprapthi në 4 vite qeverisje në aleancë mes tyre.
Mjaft të sillet si shembull fakti se Hipotekat, një ndër fytyrat më përfaqsuese të shtetit, aty ku ngërthehen të gjithë veset apo virtytet që një pushtet a forcë politike i ka, ishin në dorë të LSI; e sot, si dhe gjithë këto vite, ato mbeten po aq të urryera e të pareformuara në sensin moral, nga ana e qytetarëve shqiptarë.
Vetë Meta si individ, është plot në CV-në e tij me akte politike të zgjuara, por është bosh në gjurmët e ndonjë aftësie qeverisëse. Thënë më shkoqur: është një politikan i aftë, vetëm në emër të karrierës, por aspak një shtetar i aftë në emër të interesit shoqëror.
Edhe sikur emri i tij të mos ishte i lidhur me asnjë aferë – që në fakt është i lidhur me shumë të tilla – do mjaftonte fakti që ai është dramatikisht i mangët për të qenë vizionar, shtetar me produkte të prekshme, reformator gjithashtu apo bartës i një morali rrezatues, për t’ja kursyer Shqipërisë, njerëzve të munduar të këtij vendi edhe për përgjegjësi të tija personale, të qënit tashmë dhe President.
Historia e së nesërmes do e ketë të pamundur që t’u kumtojë brezave ndonjë “rol historik” të Metës apo LSI-së në emër të progresit shqiptar. Ato do mbeten mishërime të vesit nacional ku oborri i partisë nuk është dhe ai i Shqipërisë! /tesheshi.com/