Florentino Perez është i tunduar nga oferta e Arsenalit për Karim Benzemanë. Klubi anglez jep plot 45 milionë euro për kartonin e futbollistit dhe për presidentin e madrilenëve, kjo shifër është mbi vlerën e vërtetë të lojtarit. Media spanjolle bën me dije se numri 1 i klubit ka pasur një takim me trajnerin Rafa Benitez, për të parë mundësitë e largimit të sulmuesit.
Në fakt, kreu i pankinës ka dhënë aprovimin e tij që shitja të realizohet. Madje, ai e ka cilësuar si diçka pozitive, pasi nuk e shikonte si një titullar stabël në skuadër dhe nëse do të qëndronte edhe një vit, do t’i ulej vlera në treg. Gjithsesi, për shitjen e Benzemasë, Benitez kërkon një përforcim tjetër të rëndësishëm. Ai ka paraqitur një listë me pak emra, por bie në sy që në vendin e parë të dëshirave është Marko Rojs. Gjermani është gjithashtu një prej dëshirave të Perezit dhe në ditët e ardhshme mund të ketë një sulm për të zyrtarizuar akordin. Për të blerë shërbimet e lojtarit të Dortmundit, mund të mjaftojë një shifër më e ulët se ajo për shitjen e Karimit tek Arsenali.
Përveç kursimit në të ardhura, Rafa do të realizonte më qetësisht dëshirën e tij për të pasur Kristiano Ronaldon si sulmues qendre. Ai e shikon portugezin si një makineri golash në majën e repartit të avancuar, ndërkohë që nga krahët kërkon lojtarë të shpejtë dhe me aftësi të shkëlqyera për të shërbyer dhe finalizuar aksionet. Ndaj, me Bejlin dhe Rojsin nga krahët, Kristiano do të formonte një repart të frikshëm. Me këtë lëvizje në merkato, madrilenët do të vazhdonin të luanin me modulin 4-3-3, çka do t’ia lehtë- sonte teknikut edhe punën për mesfushën dhe mbrojtjen, të cilët janë mësuar me këtë skemë gjatë sezonit të fundit, nën drejtimin e Karlo Ançelotit. Nëse klubi do të shiste Benzemanë, do të uleshin ndjeshëm shanset edhe për një largim të mundshëm të Serxhio Ramosit, i cili ka shprehur hapur dëshirën për të provuar një aventurë të re. /tesheshi.com/