Më shumë se sherif që gjuan me grushte dhe përdor apo nxjerr pistoletën shpejt, polici-antikorrupsion i Byrosë Kombëtare të Hetimit, do të jetë më shumë një financier apo haker interneti në mënyrë që të arrijë të zbulojë lidhjet e ndërprera të parave të politikanëve dhe gjyqtarëve të korruptuar.
Tesheshi.com ka arritur të mësojë disa nga detajet e marrëveshjes që u firmos dy ditë më parë në Uashington ndërmjet Ministrit të Brendshëm shqiptar, Saimir Tahiri dhe Kreut të Byrosë Federale të Hetimit (FBI), James B. Comey.
Një zyrtar i FBI-së do të mbërrijë muajin e ardhshëm në Tiranë dhe do të nisë audicionet e njerëzve kryesorë që do të përbëjnë njësinë antikorrupsion. Një zyrtar i lartë i qeverisë shqiptare, tha për tesheshi.com se kriteri bazë i policëve të rinj do të jetë përgatitja: gjysma duhet të jenë fenomen në IT, pra informatikë dhe gjysma duhet të kenë arritur rezultate ekselente në studimet për financë në universitete sa më të mira. Të gjithë anëtarët e kësaj strukture nuk do t’i zgjedhë ministri Saimir Tahiri apo Edi Rama, por i dërguari i FBI-së në Tiranë.
Përveç kriterit të parë, pra atë të aftësisë profesionale, kriteri i dytë që do të merret për bazë për kadetët e rinj antikorrupsion është lidhja me njerëz të nomenklaturës politike apo dhe asaj të sistemit të drejtësisë dhe biznesit.
Do të merret modeli i FBI-së: pra do të rekrutohen zyrtarë që janë totalisht të provuar për ngopshmërinë e tyre në jetë modeste: pra që jetojnë me pak dhe nuk kërkojnë luks. Ndërkohë dosjet e kandidatëve do të shqyrtohen deri në brezin e shtatë që të mos ketë lidhje me zyrtarët e lartë.
Nëse do të vërtetohet qoftë edhe një kryqëzim, ata do të eliminohen që në fillim. Pasi të kalojnë fazën e parë, të gjithë kandidatët: nja 50 vetë do të nisen për në Virxhinia të SHBA-së, ku do të jetojnë për tre javë intensive në një trajnim inteligjence në trurin e akademisë së FBI-së amerikane.
Atje do të përballen me disa nga bashkëpunëtorët më të mëdhenj të Byrosë Federale Amerikane nga radhët e krimit, biznesit të korruptuar dhe ish-politikanëve.
Tipa të tillë që prej kohësh punojnë në laboratorët e FBI-së do t’u mësojnë kandidatëve truket e fshehjes dhe të pastrimit të parave.
Por, përveç këtij trajnimi, kadetët do të përballen me atë që quhet “stress training” ku kandidatët do të përballen me torturën dhe presionin në mënyrë që të arrijnë të stërvitjen për situate të rënda. Pasi të bëjnë testin e inteligjencës dhe të stresit, kandidatët do të zhvillojnë një stërvitje ushtarako-policore të shkurtër në përdorimin e armëve të zjarrit dhe luftës trup më trup.
Ata që do të kalojnë normat do të thirren nga i dërguari i FBI-së në Tiranë për një intervistë finale, e cila do të zhvillohet barabar me të ashtuquajturin “testi i së vërtetës”. Bëhet fjalë për një aparaturë që njihet dhe si “testi i telegrafit”, të cilin e përdorin shërbimet sekrete.
Në fund, kush kalon në sitë dhe arrin të shpëtojë do të ketë një takim me një zyrtar të lartë të Departamentit të Shtetit, i cili do t’u thotë policëve antikorrupsion se SHBA do të ndihmojë financiarisht qeverinë shqiptare në mënyrë që pagesat e anëtarëve të FBI-së shqiptare të jenë gati të njëjta me kolegët e tyre në SHBA, në mënyrë që të mos korruptohen.
Për dy vite këto pagesa do të dalin jo vetëm nga buxheti i shtetit, por SHBA do të japë një ndihmë direkte financiare. Për momentin rroga e policëve antikorrupsion është caktuar, por mbahet sekret dhe pritet t’u bëhet e ditur vetëm atyre që fitojnë në fund./tesheshi.com/