Një nismë e presidentit Hashim Thaçi për krijimin e një komisioni për të “Vërtetën dhe Pajtimin”, që sipas tij do të hapte një kapitull të ri në raportet ndëretnike në vend, po shihet me shumë dilema në mesin e dy komuniteteve më të mëdha e sigurisht në antagonizëm, shqiptarë dhe serbë.
Familjarët e të zhdukurve thonë se ideja e Thaçit është ende e hershme meqë, sipas tyre, plagët nga lufta nuk janë mbyllur.
Bajram Qerkini, kryetar i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të familjarëve të të zhdukurve, thotë se përpara pajtimit duhet të dihet deri në fund e vërteta se çka ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës.
“Çështja e pajtimit mund të marrë më shumë kohë dhe ajo nuk mund të përmbyllet shpejt. Të enjten bëhet një gërmim [për varrezë të dyshuar] në Mitrovicë midis qytetit te ura e lumit Ibër. Ka ende gjëra të freskëta dhe pajtimi një herë nuk mund të behet“, ka deklaruar Qerkini për Radio “Evropa e Lirë”.
Kurse Milorad Trifunoviq nga Shoqata e të zhdukurve serbë në Kosovë, ka deklaruar se çdo gjë mund të kompensohet por jo edhe jeta e njeriut. Ai ka thënë se duhet që njerëzit të ecin përpara e të pajtohen.
“Le të shohim drejt të ardhmes. Po që të shohim drejt të ardhmes duhet të kthehemi pak edhe prapa. Sepse në mesin tonë, që jemi viktima, duam që të zbardhim fatin e të zhdukurve, duam të vijmë deri tek e vërteta për ata njerëz që kryer krimet. Duam që ata të gjykohen për shkak të gjeneratave të reja, për rininë tonë, që do të ecin drejt jetës dhe që ta kuptojnë se krimi nuk mund të mbetet i pa ndëshkuar“, ka deklaruar Trifunaoviq.
Që prej përfundimit të luftës në Kosovë, organizatat për të drejtat e njeriut kanë njoftuar se edhe mbi 1600 persona vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur. /tesheshi.com/