Ka qenë e paevitueshëm trajtimi dhe njëherë i projektit rajonal “Open Balkan”, partizan i së cilës është Rama e kundërshtar Kurti, në një konferencë të dyvë pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në Elbasan.
Ka qenë i pari i qeverisë shqiptare ai që e ka zbërthyer edhe filozofikisht ndarjen mes tyre, duke mos e trajtuar hië si alarmante.
Madje deri diku u argëtua me qasjen e tij sportive në trajtimin e një ndër çështjeve më të mpehta mes të dyve.
“Për sa i përket Ballkanit të Hapur, kemi sigurisht dy qasje, qëndrime, opinione të ndryshme, por nga ana tjetër duhet edhe ju, edhe të gjithë të mësohen me faktin që mund të mos mendojmë njësoj për të gjitha gjërat, por kjo nuk na pengon që të vendosim të gjitha forcat për të bërë së bashku gjërat e duhura në funksion të të ardhmes së dy vendeve tona.
Kështu që mendoj që këto opinione të ndryshme, në raport me Ballkanin e Hapur, nuk përbëjnë asnjë pengesë për të fuqizuar marrëdhëniet mes nesh dhe nëse do më lejoni t’i referohem Shqiponjës me dy koka, është një trup i vetëm, ku njëra kokë sheh nga njëra anë dhe koka tjetër sheh nga ana tjetër, por trupi qëndron drejtë, që do të thotë se shqiponja është krejtësisht e informuar vizualisht në 360 gradë.
Prandaj, mos kini asnjë dyshim se Shqiponja me dy koka rrezikohet që të kapet në befasi nga njëra anë apo nga ana tjetër, pasi i kontrollon me sy të dyja anët.
Asnjë shqetësim për këtë dhe mendoj që është një vlerë e shtuar në këtë rast, në këtë periudhë të historisë sonë, që jemi shqiponjë me dy koka.
Kur të vijë dita që të jemi shqiponjë me një kokë, rreziku është që të kafshojmë veten më shumë se sa sot që nuk e kemi këtë luks e nuk e kemi as këtë qëllim.
Kështu që, unë personalisht jam optimist për zhvillimin e marrëdhënieve tona, jam optimist për këndvështrimin strategjik, por edhe për angazhimin që kemi vendosur bashkërisht, në funksion të këtij këndvështrimi për sa i përket marrëdhënieve tona.
Për Ballkanin e Hapur është një debat i hapur mes meje dhe Albinit dhe mos prisni kurrë që të gjitha debatet mes meje dhe Albinit të jenë të mbyllura. Se pastaj i bie që ne të ndryshojmë emrat e të mos jemi ata që jemi, është fiziologjia e një marrëdhënieje mes njerëzish që nuk rrinë dot pa menduar dhe e kanë problem po të mendojnë njësoj për të gjitha gjërat”, tha Rama. /tesheshi.com/