Sipas një njoftimi të Ministrisë së Rendit, polici i qarkullimit Ylli Ulaj u arrestua me akuzën e marrjes së rryshfetit, ose siç quhet në gjuhën penale: “Korrupsionit pasiv të punonjësve që ushtrojnë funksione publike”. Sipas njoftimit, Ulaj gjatë shërbimit në autostradën Milot – Lezhë, dyshohet se i ka marrë 50 euro në formë rryshfeti një shtetasi nga Kosova, me iniciale S.D.
“Ky i fundit po udhëtonte me automjetin e tij kur u ndalua për tejkalim të normave të shpejtësisë. Shtetasi nga Kosova ka kundërshtuar faktin se ishte në shkelje të rregullave të qarkullimit, por ka paguar sasinë e lekëve të kërkuar nga efektivi i Qarkullimit, Ylli Ulaj.
Punonjësi i policisë ka marrë 50 eurot dhe nuk ka proceduar administrativisht shtetasin kosovar, për shkeljen e konstatuar”, sqarohet në njoftimit zyrtar.