Nuk është një mit politik fakti se avantazhi më i madh i Ramës është pikërisht Berisha. Është bash ky i fundit që me dallkaukllëkun e tij politik të pashërueshëm, deri në dhimbje, relativizion negativitetet dhe dështimet e ashiqarta të Ramës në qeverisje.
Së fundi, në akuzën me përmasa idiote të Ramës që pi verë 33 mijë euro, thënë apo aluduar nga ish-ministri në arrati Arben Ahmetaj, shndërruar në figurë anektodike me intervistat e tij budallaqe me Çim Pekën, mu prej nivelit më të ulët të besueshmërisë në ato që thotë, me zero impakt politik, Berisha shënoi një prej rekordeve në broçkullisjet e tij plot padije, gafa e nonsense logjike.
Në një tubim në Lezhë, ai do deklaronte: “Si mund të hapet shishja e verës në Kryeministrinë e Shqipërisë 330 mijë….33 mijë euro, gjë që mund të ndodhë vetëm në Sulltanatin e Brunait”.
Që Berisha është vetëdënuar të mos thotë kurrë fjalë të mençura, kjo dihet. Por që ky “njeriu i lexuar” të mos dijë se Brunei(jo Brunai) është Sulltanat islam dhe si i tillë aty nuk konsumohet alkool, kjo u mësua tani. Kështu është kur të flet goja para mendjes, akuza para logjikës, siç ka ndodhur gjithnjë me këtë figurë, gjithashtu anektodike, nga pothuajse në çdo gjë që i nxjerr goja e që nuk kalon nga mendja. /tesheshi.com/