Humbja e zgjedhjeve të 21 qershorit duhet analizuar duke alternuar faktorët e brendshëm dhe ata të jashtëm – ky është qëndrimi i deputetit të PD-së Oerd Bylykbashi. Ai nuk i sheh si të ndarë faktorët, pasi sipas tij, shitblerja e votës dhe kriminalizimi i parlamentit dhe politikës janë faktor përcaktues në manipulimin e votës. Në një intervistë për “tesheshi.com”, Bylykbashi thekson se dy vitet e ardhshme janë përcaktuese; dhe se për opozitën ka vetëm një opsion: fitore e minimum 71 mandateve në zgjedhjet e vitit 2017. Në të kundërt, ai thekson se kjo do të quhet humbje pa asnjë justifikim….
Intervistoi: Luljeta Progni
Zoti Bylykbashi, çështja e kriminalizimit të Kuvendit sa vjen e po bëhet më serioze, jo vetëm brenda vendit por edhe nga faktori ndërkombëtare dhe konkretisht SHBA. Raporti i fundit i DASH e ka konfirmuar këtë shqetësim…
Çështja e kriminalizimit të parlamentit ka qenë që në fillim shumë serioze dhe e rëndë, duke filluar nga kontrata që Edi Rama, lider i opozitës në atë kohë, bëri me këtë takëm pasi humbi zgjedhjet e vitit 2009. Kriminelët nuk kanë hyrë në parlament. Ishte Edi Rama që u hapi derën duke i futur në listat e kandidatëve. Përndryshe, të tillë individë nuk kishin asnjë shans të hynin në parlament. Në vitin 2008 kur ndryshuam sistemin zgjedhor me konsensus, një nga arsyet pse vendosëm të përdorim listën e mbyllur ishte pikërisht fakti se kryetari i partisë ka përgjegjësinë finale dhe nuk mund të fshihej pas gishtit apo dëshmish penaliteti siç bëri Rama, nëse fuste kriminelë në listë. Përgjegjësia do ishte tërësisht e kryetarit sepse zgjedhja e emrave do të ishte e tij në fund të fundit.
Në 2009-ën, Edi Rama u përpoq t’i qëndronte këtij pakti kushtetues. Por pas humbjes së 2009, pas goditjeve që mori nga brenda dhe sulmeve të skifterëve brenda PS-së, e humbi bishtin që e ekuilibronte dhe u radikalizua. Një nga veprimet që bëri, përkrah rithirrjes nën armë të individëve ish-policë të larguar për lidhje me krimin dhe narkotrafikun e të përjashtuar nga kryeministri Nano në 2004-ën, Edi Rama lidhi pakt me shejtanin: ftoi në politikë, në fushatë, dhe futi në lista kriminelë trafikantë, tutorë prostitucioni e deri kriminelë ordinerë. Në mënyrë të veçantë, këtë e bëri në zonat bastione të PD-së, pikërisht sepse nuk shihte asnjë shpresë fitoreje ndryshe në ato zona.
Megjithatë, ajo që thoni ju se situata është rënduar, ka një të vërtetë të hidhur. Është rënduar sepse, edhe pasi opozita e denoncoi këtë kancer në politikë, bojkotoi parlamentin për shkak të kriminalizimit të tij, edhe pse Parlamenti Europian u angazhua dhe negocioi një marrëveshje për dekriminalizimin, edhe pse u ngrit një komision i posaçëm, edhe pse Ambasadori i SHBA dhe ajo e BE bënë thirrje për moskandidim të individëve me rekorde kriminale, Edi Rama i sfidoi të gjithë duke i kandiduar ata, i mbështeti deri në fitore me çdo kusht dhe çdo mjet sado i paligjshëm të ishte.
Ajo që është e turpshme dhe e rëndë, është se përveçse persona të dënuar për trafik qëniesh njerëzore janë në parlament, siç thotë raporti i Departamentit amerikan i Shetit, Kryeministri doli dhe i mohoi publikisht këto akuza. Strucizëm i papreçedent.
Sigurisht që raporti i DASH e konfirmon shqetësimin. Por DASH nuk tha që ishte turp që trafikantë të padënuar, pra që kishin problem me ligjin, kishin mandat deputeti siç e deformoi kryeministri. DASH tha që trafikantë të dënuar uleshin në Kuvend. Ndaj ju kemi të drejtë në pyetjen tuaj. Situata është më e rëndë sepse kryeministri u jep imunitet dhe impunitet de fakto kriminelëve që solli në pushtet më 23 qershor 2013 dhe 21 qershor 2015.
Ndërkohë ju jeni në krye të një komisioni Kuvendor i cili ka për subjekt pikërisht dekriminalizimin e Kuvendit dhe politikës shqiptare. Në të vërtetë ende nuk ka hapa konkret në drejtim të këtij procesi. Cilat janë arsyet?
Dekriminalizimi është së pari shprehje vullneti politik. Pa të nuk miratohen ligje dhe nëse miratohen, nuk zbatohen dhe mbeten kartë e vdekur. Opinioni publik nuk kërkon këtë. Kërkon që me marrëveshje politike, me ligj dhe vullnet për ta zbatuar, të largohen kriminelët nga politika dhe t’u mbyllet shtegu në të ardhmen. Madje ta bëjë këtë aq të kushtueshme, saqë as të mos u shkojë mendja se mund të hyjnë në politikë e të vendosin për reforma në drejtësi dhe ligjbërje që prek interesin, xhepin dhe të drejtat e shqiptarëve.
Kemi një “marrëveshje” të 24 dhjetorit 2014 por që në fakt qe një imponim mbi qeverinë nga Parlamenti Europian, të procesit të dekriminalizimit. E gjithe qasja e deritanishme e Kryeministrit dhe përfaqësuesve të tij në komisionin e dekriminalizimit ka qenë një qasje zvarritëse, penguese, konfliktuale dhe minimizuese. E dinë se në ç’llum janë të zhytur dhe minimizojnë problemin apo tregojnë Kushtetutën si pengesë për dekriminalizim.
Ta themi troç: kushtetuta nuk është dhe nuk mund të jetë strehë për kriminelët dhe ata që u japin suport politik. Kushtetuta mbron dhe promovon interesin publik, dhe interesi publik është në kundërshti totale me kriminelët në parlament.
Hapa konkretë ka dhe të gjithë janë kryer nga opozita në komision. Së pari, ne kemi propozuar një platformë ideore dhe me drejtimet e nevojshme për ndërhyrje kushtetuese dhe ligjore për të larguar personat me rekorde kriminale të tmerrshme nga funksionet publike të zgjedhura apo emëruara dhe për të ndaluar që këta persona të marrin funksione parlamentare apo funksione të tjera në të ardhmen. Kjo platformë e paraqitur zyrtarisht në komision disa muaj më parë, identifikon edhe ligjet ku duhet të ndërhyet, përfshirë edhe Kushtetutën.
Mbi këtë platformë që bazohet në jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, opozita ka propozuar formalisht në komision amendamente kushtetuese per nderprerjen e mandateve te personaave me rekorde kriminale. Dhe kjo do t’ia hiqte parlamentit njollën e turpit që nënvizoi DASH.
Po ashtu, propozuam ndryshimet në Kod Zgjedhor me qëllim ndalimin e kandidimit më 21 qershor të personave të tillë, përfshirë ata që kanë ndërruar identitet. Mazhoranca i bllokoi ato amendamente duke mos i futur në shqyrtim nga parlamenti. Kjo është shkelje e hapur e Kushtetutës. Kështu ia dolën t’i kandidonin, duke injoruar edhe thirrjet e SHBA dhe BE.
Pra komisioni ka patur aktivitet dhe debat. Ky aktivitet ka qenë me një drejtim, vetëm propozime të opozitës. Qartazi, mazhoranca nuk ka pasur as vullnet dhe as interes, ndaj ka bllokuar.
Cilët janë hapat që do të ndjekë opozita referuar faktit se prej disa kohësh është beteja juaj kryesore politike në Kuvend e me gjerë?
Ne sapo kemi propozuar platformën e dekriminalizimit të rishikuar mbi bazën e Raportit që ka pregatitur Komisioni i Venecias, një dokument shumë i mirë që konfirmon drejtësinë e platformës sonë. Por na ka shërbyer për ta pasuruar dhe përsosur më tej platformën tonë.
Këtë platformë do ta detajojmë me amendamente kushtetuese, të Kodit Zgjedhor e atij Penal, Rregullores së Kuvendit, dhe ligjesh të tjera. Duke filluar nga shtatori, komisioni do të ketë shumë punë.
Sigurisht, tentativa e Kryeministrit për të bërë amendamentet në mënyrë unilaterale, as që ka për t’u pranuar. Po aq e papranueshme është tentativa e tij për ta kaluar dekriminalizimin tek komisioni i reformës në drejtësi që komandon ai vetë. Këto janë shkelje të konsensusit të 24 dhjetorit dhe do kundërshtohen pa mëdyshje.
Kryetari i PD-së Lulzim Basha bëri thirrje popullit të ngrihet në protesta kundër pushtetit të kriminalizuar. Sa besoni ju se do të ketë një përgjigje positive nga populli për të protestuar kundër elementëve të inkriminuar në politikë?
Detyra e opozitës është të ndërgjegjësojë popullin për gabimet, problemet apo zullumet e një qeverie. Kriminalizimi i parlamentit është fakt publik. Jam i sigurt që opinioni publik është mëse i ndërgjegjësuar. Po kështu, edhe faktori ndërkombëtar.
Një turp i tillë, një parlament me kriminelë dhe një kryeministër që i mbron, përballet me protesta. Ky është një prej instrumentave legjitimë të opozitës duke nisur nga shtatori.
Ndërkohë zoti Bylykbashi, kemi njërezultat të zgjedhjve të 21 qershorit ku duket se elektorati nuk i është përgjigjur opozitës, aq shumë sa kryetari i PD-së të besojë se do të ketë protesta të suksesshme me pjesëmarrje masive…?
Protesta kërkon kauzë, principe dhe shpirt opozitar. Të luftosh kriminalitetin që po kap shtetin, të luftosh kundër varfërimit të shqiptarëve nga qeveria që po rrit taksat, rrit represionin rrit paasuritë publike të rrethit më të ngushtë të Ramës dhe Metës duke dhënë çdo gjë në koncension klientëve të bllokut të korrupsionit, të luftosh kundër kthimit të vendit në trampolinë kryesore të trafiqeve të njerëzve dhe drogës dhe shumë arsye të tjera, të gjitha këto janë kauza të drejta. Secila mjafton që të protestosh.
Është detyra jonë që të vemë shpirtin opozitar e të udhëheqim këto protesta.
Qeveria po përpiqet të fusë frikën tek njerëzit, t’i trembë ata me llojlloj masash represive policore apo të agjencive të tjera që po i përdor si kërbaç. INUK, OSHEE, tatimet e çdo mjet tjetër represiv po përdoret. Mediat po i vënë në kontroll me çdo formë okulte. Partia Demokratike ka për detyrë ta vrassë këtë frikë. Në 25-vjetorin e rrëzimit të Komunizmit, për fat të keq, përpara opozitës dhe shqiptarëve është përsëri sfida e vrasjes së frikës nga shteti autoritar dhe bërja e zgjedhjeve të lira.
Shitblerja e votës është një ndër problematikat e zgjedhjeve të 21 qershorit. Ju thoni se kjo lidhet me dekriminalizimin dhe për pasojë kjo ka qënë ndikim ir ëndësishëm në zgjedhjet e 21 qershorit…?
Sigurisht, blerja e votës është problemi më i madh i zgjedhjeve sot. E paralajmëruam këtë 2 vjet të shkuara, protestuam, kundër blerjes së votës në parlament janë mbajtur ndër fjalimet më të shkëlqyera opozitare. Ju e mbani mend që mazhoranca bleu vota në Korçë edhe kur nuk i duheshin. Ishte e qartë që Korça ishte poligoni i testimit të mekanizmit kriminal, për të provuar si funksionon dhe sa efikas është ai kur e mbron heshtja e policisë. Ju kujtohet se si Rama dhe Meta, mjeshtri i vërtetë i kësaj mënxyre, e amnistuan hetimin dhe gjykimin e blerjes së votës në Korçë apo kur ne propozuam më pas amendamente për ta rihapur hetimin, e që i rrëzuan si antikushtetues. Por një gjë është e sigurtë, Kushtetuta nuk mbron kurrë kriminelët që blejnë vota.
Po, është problem madhor kjo e keqe sepse rrënon themelin e demokracisë, pushtetin nëpërmjet votës së lirë. Në fakt blerja e votës është instrument i një të keqe edhe më të madhe. Kjo e keqe është korrupsioni politik. Korrupsion politik ka aty ku pushteti synohet të merrët apo të mbahet me çdo kusht dhe jo vetëm me votë. Dhe aty ku ka korrupsion politik, gjithmonë gjen simbiozë midis politikës dhe krimit të organizuar të llojit mafioz.
Korrupsioni politk synon pushtetin, shumë pushtet, sa më shumë pushtet. Nuk e kërkon me votë por e blen. Blen vota, blen karta identiteti që të mos shkojnë zgjedhësit të votojnë, paguan për karta fallso, për skema votimi në emër të emigrantëve pa ardhur ata të votojnë. Paguan krimin e rrugës që të bëjnë presion për të mos dalë për të votuar. Blen mediat për të censuruar opozitën dhe për tu bërë fanfarë e gjoja arritjeve qeveritare. Blen gjyqtarë e prokurorë që të mos hetojnë pushtetarët e korruptuar.
Dy janë burimet që financojnë korrupsionin politik: korrupsioni i madh qeveritar nëpërmjet tenderash te drejtpërdrejtë apo koncensionesh, që fitohen nga familjarët e ministrave miqtë dhe klientët e pushtetit dhe së dyti, paratë e krimit të organizuaar dhe trafiqeve të drogës.
Sa më shpejt të hapen negociatat me BE për kapitujt 23 dhe 24 për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar aq më mirë është. Vetëm kështu Brukseli do t’u rrijë mbi kurriz qeveritarëve dhe ka shpresë që zgjedhjet e 2017 të jenë zgjedhje të lira dhe jo votime të blera.
Megjithatë jemi vetëm një muaj pas zgjehdjeve të 21 qershorit ku opozita në të vërtetë pësoi një humbje të thellë. Çfarë ndodhi z.Bylykbashi përveç faktit se ju bëni fajtor mazhorancën për shitblerje votash? Çfar nuk funsksionoi në strukturat e Partisë Demokratike?
Sigurisht që rezultati tregon që përtej shkaqeve të jashtëme, ka shkaqe të rëndësishme të brendshme që nuk na dhanë mundësi të fitonim aty ku kishim mundësi, apo të humbnim dukshëm në vende të tjera. Këto ishin zgjedhje lokale dhe shpesh janë faktorë lokalë që ndikojë në rezultat. Ka drejtues degësh apo edhe struktura që nuk kanë funksionuar si duhet. Por duhet bërë një analizë e mirë dhe e thellë, jo për të kaluar radhën dhe jo empirike, për të kuptuar shkaqet në nivel lokal por edhe qëndror të këtij rezultati jo pozitiv.
Nga suksesi i analizaës, të kuptuarit e problemeve dhe zgjidhjet që do të jepen, fillon edhe fitorja e 2017.
Në të vërtetë një analizë e tillë u premtua edhe për humbjen në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 por nuk ndodhi… a do të ketë edhe kjo analizë për 21 qershorin të njëjtin fat..? Pse duhej pritur deri në shtator për të kryer një analizë për një humbje të rëndësishme të zgjedhjeve..?
Analizë bëhët edhe kur fiton pra aq më shumë kur rezultati nuk është ai i pritëshmi apo kur ky rezultat është një humbje.
Analiza nuk është demonizim dhe as gjueti shtrigash. Por përgjegjësitë duhet të dalin dhe masa duhet të merren për këto përgjegjësi. Nuk mund të vazhdohet me falje individësh përgjegjës nga paftësia apo që kanë qëllim vetëm pushtetin e tyre meskin, se kështu thyhet besimi i bazës. Baza e PD e di se ç’kemi bërë, na sheh në sy dhe është shumë e vëmendëshme për ato që dotë bëjmë. Humbja është vërtet humbje atëherë kur nuk mëson gjë prej saj. Shpresoj personalisht të mos jetë kështu.
Teza se gabimin duhet ta shohim vetëm tek vetja mendoj se është thelbësisht e gabuar. Na duhen të dy anët e analizës, ajo e faktoreëve të jashtëm po aq sa e atyre të brendshëm. Mund të analizojmë shkaqet e brendëshme, të gjejmë zgjidhje, dhe përsëri mekanizmi mafioz i blerjes së votës e bën nul votën popullore. Duhet që ditën kur, me organizim të fortë, me kredibilitet të bazuar te parimet, do të kemi votën e popullit me ne, zgjedhjet duhet të jenë të lira e të ndershme e të garantojnë rotacion. Këtë bëri PD pas zgjedhjeve skandaloze të 2000 dhe 2001, luftoi siguroi proces zgjedhor të rregullt, bindi popullin për ofertën e saj dhe fitoi pushtetin në 2005. Këtë duhet të bëjmë përsëri.
Analiza mund të fillonte menjëherë. Shumë e kërkuan të niste që pas zgjedhjeve. Duhet qartësi maksimale që të mos bësh gabim në ato kushte. Ndoshta vendimi për të pritur shtatorin, kur jo vetëm pasionet e paszgjedhjeve janë fashitur disi e të lejojnë për një gjykim të kthjellët, por edhe janë mbledhur e identifikuar shkaqet dhe faktet, është i drejti. Gjithësesi ky është vendim që merret nga Kryetari i partisë dhe vendimet respektohen maksimalisht.
Analiza e 2013 çoi në zgjedhjet brenda PD-së. Më pas erdhi humbja e 2015. Sot duhet të kuptojmë ç’duhet bërë më mirë dhe ç’gabime nuk duhet të ripërsërisim. 2017 është afër dhe PD-së i duhet vetëm fitore. Nuk mund të kënaqemi thjesht me një rritje të votave por që në fund të fundit është humbje. Nëse opozita nuk do të marrë 71 mandate, rezultati duhet quajtur me emrin e vet. Humbje.
A ka rrezik që PD të fragmentarizohet duke iu referuar edhe qëndrimevetë disa ish-drejtuesve të PD që në një farë mënyre bëjnë përgjegjës lidershipin e kësaj partie për humbjen e 21 qershorit..?
Nuk e besoj këtë. Shumë hijena politike që do donin të mos egzistonte më PD, e shpresojnë dhe urojnë fragmentimin e saj. Por PD ka ka kaluar momente shumë të vështira dhe ka dalë në anën tjetër të dallgëve.
PD ka statut dhe institucione, por duhet që këto institucione të jenë në gjendje të absorbojnë tensionet, të valorizojnë kritikën e brendëshme, t’u japin udhë shqetësimeve. Unë besoj që procesi që do të nisë në shtator do e forcojë PD. Kjo është një detyrë që nuk i bishtnojmë dot dhe kohë për të humbur nuk ka. /tesheshi.com/