Humbi gjithë kursimet e jetës së tij në bankën Etruria dhe një dhurues anonim i ka kthyer gjithë paratë gjatë një emisioni live në televizionin italian Rai 1. Ngjarja ka ndodhur në transmetim të drejtpërdrejtë ditën e djeshme.
78 vjeçari Duilio Peruzzi, banues në Sant’ Anzano, një provincë e vogël në hyrje të qytetit të Firences ka treguar se si mësoi që gjithë kursimet e tij kishin humbur. “Ishin 10 mijë euro. Mund të duken pak, por për mua prezantojnë kursimet e një jete të tërë për të pasur një pleqëri të sigurt, pa të papritura dhe pa u rënë në qafë fëmijëve të mi”,- tregon i moshuari në pension.
Fjalët e të moshuarit kanë prekur gjithë telespektatorët dhe njëri prej tyre ka reaguar në mënyrë të menjëhershme, duke i kthyer të moshuarit të njëjtën shumë që ai kishte humbur, me kushtin që të ngelej anonim.
Në një telefonatë të drejtpërdrejtë ai ka thënë: “Më preku historia personale e zotit Peruzzi dhe dinjiteti me të cilin ai rrëfeu sakrificat e jetës”. Shuma prej 10 mijë eurosh do të kalojë në llogarinë e fiorentinit brenda muajit dhjetor./tesheshi.com/